Lidhje

COVID 19, java me e keqe në Shqipëri, 112 viktima e 5.501 raste të reja


Në Shqipëri, java e fundit ishte më e keqja që nga fillimi i pandemisë, me rritje të fortë të numrit të viktimave dhe të rasteve të reja, ndërkohë që testimet mbetën thuajse në të njejtat nivele. Të dhënat zyrtare, të përpunuara nga Zëri i Amerikës, dëshmojnë se situata ka ardhur vetëm duke u rënduar, me një pozitivitet i cili është gjithashtu në nivele tejet të larta.

Në 7 ditët e shkuara, u rregjistruan 112 humbje jete, ose 19.1 përqind me shumë. Dita me nivelin më të lartë ishte 5 dhjetori me 19 vdekje. Ndërsa në 24 orët e fundit, ka patur 17 viktima nga 10 qytete të ndryshme të vendit: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Përmeti, 2 qytetarë nga Fieri, 1 qytetarë nga Shkodra, 1 qytetar nga Prrenjasi, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Gjirokastra, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Shijaku, të moshave 58-79 vjeç. Në total janë 922 të vdekur që nga nisja e pandemisë.

Në javën pararendëse (24-30 nëntor) pati një ulje të numrit të rasteve të reja, për shkak të reduktimit të tamponëve. Këtë herë ato kërcyen ndjeshëm, ndërsa testimet ishin thuajse në të njejtat kuota, vetëm 1.8 përqind më shumë, ose në total 15.527 tamponë. Sipas të dhënave javore, të prekurit e rinj shkuan në 5.501 persona, ose 18.9 përqind më shumë nga java pararendëse kur ishin rregjistruar 4.626 raste. Mesatarja ditore ishte në kuotën e 785 të infektuar. Dita me numrin më të lartë ka qenë 5 dhjetori me 846 raste, ndërsa në 24 orët e fundit, u shënua dita me numrin më të ulët, 695 raste, të identifikuara në këto bashki: 281 raste në Tiranë, 65 në Elbasan, 59 në Fier, 51 në Lushnje, 36 në Lezhë, 35 në Durrës, 32 në Gjirokastër, 23 raste në Përmet, 18 në Pukë, 15 në Korçë, nga 12 raste në Vlorë, Berat, 9 në Mat, nga 6 raste në Has, Mallakastër, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Delvinë, nga 4 raste në Dibër, Malësi e Madhe, nga 3 raste në Devoll, Gramsh, Kuçovë, nga 1 rast në Shkodër, Tepelenë dhe Kolonjë. Që nga nisja e pandemisë, numri i personave të prekur është 43.683 raste. Aktualisht, 20.581 janë ende raste aktive.

Java e shkuar shënoi dhe një kërcim të ndjeshëm të pozitivitetit (raportit mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) duke u ngjitur në nivelin e 35.4 përqind, nga 30.3 që ishte një javë më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Në Itali, një vend i cili po përballet me një valë të dytë të fortë, pozitiviteti në javën e fundit luhatej mes 10-11 përqind, më shumë se tre herë më pak se Shqipëria.

Në ndryshim nga java pararendëse, (24-30 Nëntor), në 7-ditëshin e fundit është vënë re një numër më i vogël pacientësh në spitale. Por në ndërkohë, rastet e komplikuara që përfundojnë në terapi intensive ose të intubuar, thuajse janë dyfishuar. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë “në 4 spitalet COVID, po trajtohen 463 pacientë, 37 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG