Lidhje

Biden prezanton ekipin që do të udhëheqë reagimin ndaj pandemisë


Presidenti i zgjedhur Joe Biden prezantoi të martën ekipin që do të udhëheqë reagimin e administratës së tij ndaj pandemisë së koronavirusit, duke theksuar synimin e tij për të shpërndarë 100 milionë vaksina në 100 ditët epara në detyrë.

Zoti Biden tha se ai do të ketë nevojë që Kongresi të financojë plotësisht shpërndarjen e vaksinave në çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Rikthimi i fëmijëve në shkollë do të jetë një përparësi kombëtare në 100 ditët e para, tha zoti Biden në një konferencë shtypi në Uilmington të shtetit Delauer.

"Në 100 ditë ne mund të ndryshojmë rrjedhën e sëmundjes dhe të ndryshojmë për mirë jetën në Amerikë", tha zoti Biden. "Cilado qoftë politika ose pikëpamja juaj, përdorni maskën për 100 ditë."

Koronavirusi ka vrarë më shumë se 283,000 amerikanë dhe ka shkaktuar humbjen e miliona vendeve pune.

Vaksinat efektive do të ndihmonin administratën e zotit Biden që të kthente fokusin tek rimëkëmbja e ekonomisë së dëmtuar amerikane. Të martën pati më shumë lajme pozitive nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve, dokumentet e së cilës tregojnë se ky ent rregullator nuk ka ngritur ndonjë çështje (ose shqetësim të ri) të re në lidhje me sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës së kompanisë Pfizer.

"100 ditët e mia të para nuk do t’i japin fund virusit COVID-19. Unë nuk mund ta premtoj këtë", tha Biden, i cili do të marrë detyrën e Presidentit më 20 janar. "Do të duhet pak kohë (për tejkalimin e pandemisë)", shtoi ai.

Zoti Biden prezantoi Prokurorin e Përgjithshëm të Kalifornisë Xavier Becerra, një ish ligjvënës nga komuniteti latin, si të emëruarin e tij për postin e Sekretarit të Departamentit të Shëndetësisë.

Zoti Becerra ka një histori të gjatë të mbështetjes së Ligjit të Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor, i njohur si Obamacare. Zoti Biden zgjodhi Dr. Rochelle Walensky, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit në Boston, për të drejtuar Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, u emërua si këshilltari kryesor mjekësor i zotit Biden për koronavirusin dhe Dr. Vivek Murthy në postin e drejtuesit të lartë të administratës për shëndetin,të njëjtin rol që ai pati në administratën e Presidentit Obama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG