Lidhje

SHBA dhe procesi zgjedhor


Presidenti Donald Trump ka humbur tashmë dhjetëra padi gjyqësore për të përmbysur fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Ndërsa sfidat ligjore të ngritura prej tij po dështojnë në gjykata, 8 Dhjetori ishte afati në të cilin shtetet amerikane duhet t’i jepnin fund çertifikimit të rezultateve zgjedhore, duke i kufizuar më tej mundësitë e Presidentit Trump për t’i sfiduar ato.

Pesë javët që nga zgjedhjet e 3 nëntorit janë karakterizuar nga festime, por edhe nga protesta.

"Është një mashtrim ... zgjedhjet u vodhën, u manipuluan," thonë këto protestuese.

Ka patur disa rinumërime dhe dhjetëra sfida ligjore për zgjedhjet. Dhe asgjë nuk e ka ndryshuar rezultatin.

Joe Bideni i fitoi zgjedhjet, por Presidenti Trump nuk është i gatshëm të pranojë humbjen.

“Ne kurrë nuk kemi humbur në zgjedhje. Ne po i fitojmë këto zgjedhje," tha presidenti.

E marta ishte afati i fundit për zgjidhjen e sfidave ligjore, rinumërimeve apo verifikimeve dhe për çertifikimin e rezultateve.

"Kjo datë ishte një gozhdë në arkivolin e përpjekjeve të presidentit për të përmbysur rezultatin në gjykata përmes pretendimeve të rreme për mashtrim të votuesve," thotë profesori Aziz Huq i Universitetit të Çikagos.

Rezultatet e finalizuara pas datës 8 dhjetor shihen si "përfundimtare" nga Kongresi. Të gjitha shtetet e kanë dhënë çertifikimin përveç shtetit Uiskonsin, që pritet ta bëjë këtë javë.

"Nëse zgjedhjet çertifikohen dhe zgjidhen elektorët, për sa kohë që kjo bëhet deri më 14 dhjetor, kur ata të hedhin votën, Kongresi sigurisht që do të bazohet në këto vota kur të mblidhet më 6 janar,” thotë analisti John Fortier i Qendrës së Politikave Dypartiake.

Presidenti ka ngritur disa dhjetëra sfida ligjore në shtatë shtete ku humbi: Arizona, Pensilvani, Xhorxhia, Miçigan, Uiskonsin, Minesota dhe Nevada.

Ai ka fituar një gjyq dhe ka humbur më shumë se 40. Disa çështje ende vazhdojnë në Xhorxhia, Pensilvani, Arizona dhe Uiskonsin. Dje Gjykata e Lartë rrëzoi apelimin e një vendimi të një gjykate më të ulët ndaj një padie që synonte përmbysjen e rezultatit.

Ndërsa ekipi ligjor i Presidentit dështoi në gjykata, edhe vetë Prokurori i Përgjithshëm i zotit Trump, Bill Barr, tha se nuk ka prova për manipulim në shkallë të gjerë. Por mbështetësit e Presidentit Trump vazhdojnë të kërcënojnë zyrtarët e zgjedhjeve, duke bërë që një zyrtar republikan të reagonte ashpër.

"Kjo duhet të ndalet! Zoti President, ju nuk i keni dënuar këto veprime ose këtë gjuhë," u shpreh zyrtari republikan i Xhorxhias, Gabriel Sterling.

Pas humbjeve në gjykatë, zoti Trump ka ndërhyrë duke bërë presion ndaj zyrtarëve dhe ligjvënësve në Xhorxhia, Miçigan dhe Pensilvani për të përmbysur rezultatet. Megjithëse këto përpjekje kanë dështuar, ato nxorrën në pah disa dobësi të sistemit zgjedhor amerikan.

“Vetëm koha do të tregojë nëse mësimi që del nga këto zgjedhje është se kërkohet një angazhim i ri për integritetin e sistemit zgjedhor veçanërisht në nivelin e shteteve. Apo se sa i brishtë është sistemi ynë zgjedhor, se sa shumë i jemi afruar rrezikut,” thotë profesor Huq.

Më 14 dhjetor, 538 njerëzit e përzgjedhur, që përbëjnë Kolegjin Elektoral, do të mblidhen në qytetet e ndryshme të vendit ku do të hedhin votën zyrtare për zgjedhjen e presidentit dhe të nënpresidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG