Lidhje

Protestë kundër vrasjes së të riut 25 vjeçar në Tiranë


Protest in Tirana
Protest in Tirana

Në Tiranë qindra protestues kërkuan dorëheqjen e ministrit të brendshëm, gjatë një tubimi të dhunshëm në mbrëmje përballë kryeministrisë dhe ministrisë së punëve të brendshme pas vrasjes me armë zjarri nga policia të hënën pas mesnate të një të riu 25-vjeçar.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj dhe drejtësi për të riun e vrarë. Tubimi nisi te ministria e punëve të brendshme me parrulat “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë Diktatura!”, “Lleshaj, jep dorëheqjen!”, “Rama ik!”, “Duam Drejtësi për Klodianin”.

Pas përplasjes me një numër të vogël policësh pranë ministrisë së brendshme, protestuesit vazhduan protestën para kryeministrisë.

Mbi të dy ndërtesat qeveritare protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

Te kryeministria ata dogjën një pemë krishtlindjesh dhe goditën me sende të forcat e rendit, të cilët përdorën sprajt djegës dhe gazlotsjellës për të larguar protestuesit.

Grupe protestuesish qëndruan në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” herë duke u rimbledhur te kryeministria e herë te ministria e punëve të brendshme.

Më pas ata zbritën në sheshin Skënderbej, ku dogjën edhe atje një pemë krishtlindjesh, dhe ku sërish policia përdori gazin lotsjellës.

Një pjesë e protestuesve vazhduan protestën pranë drejtorisë së policisë së Tiranës, ku shkaktuan dëme materiale, dhe më pas u shpërndanë nga policia.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë protestës të lënduar në spitale janë 2 protestues dhe 8 policë, njëri prej të cilëve, ka dëmtime serioze dhe rrezikon humbjen e syrit dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Një zëdhënës i forcave të rendit tha se 9 policë janë paraqitur në spitale për plagë të ndryshme, ndërsa gjatë protestës u plagosën edhe së paku një gazetar dhe një protestues.

“Episodi i papranueshëm i vrasjes së një qytetari nga një punonjës policie, i cili po hetohet në gjendje arresti, - thuhet në deklarëtn e policisë - nuk mund të përdoret si pretekst për të ushtruar dhunë të verbër, për të plagosur rëndë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruar pronën publike dhe private”.

Policia deklaroi se tubimi u përshkallëzua në veprime të dhunshme, duke thyer xhamat e ministrisë së brendshme dhe duke plagosur disa punonjës policie dhe më pas “ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera", duke plagosur 9 punonjës policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Sipas njoftimit të policisë, 3 punonjës policie janë në gjendje të rëndë në spital me dëmtime serioze në kokë dhe në trup nga sulmi me sende të forta nga protestuesit.

Policia ka ndaluar kolegun e vet që shtiu me armë zjarri dhe i mori jetën të riut pse nuk iu bind patrullës policore, dhe deklaroi se po vazhdon hetime për ngjarjen.

Familjarët e të riut të vrarë, Klodian Rasha, pohuan se shkelja e tij e vetme ishte se gjendej jashtë banesës në kohën e ndalimit të qarkullimit për shkak të pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG