Hunter Biden, djali i presidentit të zgjedhur, Joe Biden, tha të mërkurën se autoritetet federale po hetojnë dokumentet e tij financiare. Kjo ka sjellë përsëri në vëmendje pikëpyetjet e ngritura lidhur me transaksionet e tij financiare që u ngritën edhe gjatë fushatës presidenciale të të atit.
Në një deklaratë të nxjerrë nga zyra e tranzicionit e presidentit të zgjedhur, Hunter Biden thoshte se ishte informuar për hetimet të martën, pa dhënë hollësi të tjera.
"E marr shumë seriozisht këtë çështje, por kam besim se një rishikim profesional dhe objektiv i këtyre dokumenteve do të tregojë se i kam trajtuar punët e mia në mënyrë të ligjshme dhe të rregullt, përfshirë përmes konsultimeve me profesionistë për çështje fiskale,” thoshte ai në deklaratë.
Hunter Biden ka qenë prej kohësh objekt sulmesh nga Presidenti Trump dhe aleatët e tij, të cilët e kanë akuzuar se ka përfituar nga lidhjet politike të të atit. Presidenti dhe përkrahësit e tij kanë ngritur akuza të shumta për korrupsion në adresë të Hunter Bidenit, lidhur me punën e tij në Ukrainë, por pa ofruar prova. Në periudhën për të cilën flasin këto pretendime për parregullsi dhe shkelje, babai i tij ishte nënpresident dhe kryesonte marrëdhëniet e administratës Obama me Ukrainën.
Njoftimi për këtë hetim federal nën udhëheqjen e zyrës së prokurorit amerikan në shtetin Delauer ndodh në një moment delikat për presidentin e ardhshëm, i cili po formon kabinetin e tij. Kandidati i tij për prokuror i përgjithshëm mund të marrë përsipër hetimin mbi djalin e presidentit të ri nëse ky proces është ende i hapur pasi zoti Biden të bëjë betimin më 20 janar.
Ekipi i tranzicionit tha përmes një deklarate: “Presidenti i zgjedhur Biden është shumë krenar për të birin, i cili është ndeshur me një numër sfidash, përfshirë sulme të egra personale, por gjithmonë ka dalë më i fortë prej tyre”.
Avokati i Hunter Bidenit nuk iu përgjigj kërkesave për komente.
Facebook Forum