Lidhje

Irani ekzekuton gazetarin që inkurajoi protestat e vitit 2017


Irani ekzekutoi të shtunën një gazetar disident, lidhur me shkrimet e tij në internet që ndihmuan në frymëzimin e protestave mbarëkombëtare për gjendjen ekonomike në vitin 2017, thanë autoritetet, vetëm disa muaj pas kthimit të tij në Teheran në rrethana misterioze.

Televizioni shtetëror iranian dhe agjencia shtetërore e lajmve IRNA thanë se Ruhollah Zam, 47 vjeç, u var në orët e para të ditë së shtunë. Njoftimet nuk japin hollësi të mëtejshme.

Në qershor, një gjykatë e dënoi me vdekje gazetarin Zam, duke thënë se ishte gjetur fajtor për “korrupsion”, një akuzë që shpesh përdoret në çështjet e spiunazhit ose përpjekjet për të përmbysur qeverinë e Iranit.

Faqja në internet e zotit Zam “AmadNews” dhe një kanal që ai krijoi në aplikacionin popullor të mesazheve “Telegram” patën shpërndarë kohën e ndodhjes së protestave dhe të dhëna të turpshme lidhur me zyrtarët që sfidonin drejtpërdrejt teokracinë shiite iraniane.

Ato demonstrata që filluan në fund të vitit 2017, ishin sfida më e madhe për Iranin që nga protestat e “Lëvizjes së Gjelbërt” në vitin 2009 dhe hodhën baza për trazira të ngjashme masive në nëntor të vitit të kaluar.

Shkëndija fillestare e protestave të vitit 2017 ishte rritja e papritur e çmimit të ushqimeve. Shumë besojnë se kundërshtarët e ashpër të Presidentit iranian Hassan Rouhani i nxitën demonstratat e para në qytetin konservator Mashbad në veri të Iranit, në përpjekje për të shprehur zemërimin publik ndaj presidentit. Por ndërsa protestat u përhapën nga një qytet në tjetrin, reagimi u kthye kundër të gjithë klasës sunduese.

Së shpejti, thirrjet që sfidonin drejtpërdrejt Rouhanin e madje edhe Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei mund të dëgjoheshin në videot e shpërndara në internet nga zoti Zam. Po ashtu edhe kanali i gazetarit Zam shpërndau kohën dhe detajet organizative për protestat.

Aplikacioni Telegram e mbylli kanalin e tij për shkak të ankesave nga qeveria iraniane se po përhapte të dhëna se si prodhohen bombat me benzinë. Kanali më vonë vazhdoi të funksiononte me një emër tjetër. Zoti Zam, i cili ka thënë se u largua nga Irani pasi ishte akuzuar në mënyrë të rreme se punonte me shërbimet e huaja të zbulimit, i ka hedhur poshtë akuzat për nxitje të dhunës në Telegram në atë kohë.

Sipas njoftimeve, thuhet se gjatë protestave të vitit 2017 rreth 5 mijë njerëz u arrestuan dhe 25 u vranë.

Hollësitë e arrestimit të tij ende mbeten të paqarta. Megjithëse ai ishte i vendosur në Paris, zoti Zam u kthye në mënyrë misterioze në Iran dhe e gjeti veten të arrestuar nga zyrtarët e zbulimit. Ai është një nga disa figurat opozitare në mërgim që janë kthyer në Iran gjatë vitit të fundit.

Franca e ka kritikuar më parë dënimin e tij me vdekje si “një goditje serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në Iran.”

Një seri videosh me rrëfime janë publikuar këtë vit lidhur me punën e tij. Gjatë një interviste në korrik, zoti Zam tha se kishte humbur rreth 30 kilogram peshë që nga arrestimi në tetor të vitit 2019. Ai tha pas arrestimit se mund të takonte babanë e tij pas nëntë vitesh si dhe nënën dhe motrën pas rreth gjashtë vitesh.

Gazetari Zam është djali i vetëm i klerikut shiit Mohammad Ali Zam, një reformist i cili dikur shërbeu në një post të politikave qeveritare në fillim të viteve 80-të. Kleriku shkroi një letër të publikuar nga media iraniane në korrik të vitit 2017 ku thoshte se nuk do ta mbështeste djalin e tij lidhur me raportimet në “AmadNews” dhe mesazhet në kanalin e aplikacionit Telegram.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG