Lidhje

Shqipëri, Kushtetueses i shtohet dhe një anëtar


Në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese ju shtua dhe një anëtar i ri duke e çuar në pesë numrin e trupës përbërëse të saj. Parlamenti votoi të enjten me 96 vota, në favor të kandidaturës së vetme, asaj të zotit Altin Binaj. Me vendimin e sotëm, të tre vendet në këtë Gjykatë, që duhet të kalojnë nga parlamenti janë të plotësuara.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim e përshëndeti votimin e zotit Binaj. “Lajm i mirë: Parlamenti miratoi gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese. Tani ka nevojë edhe për një gjykatës për të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Presim që KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) t'i dërgojë Presidentit listën e kandidatëve sa më shpejt”, shkruajti ambasadorja Kim në një postim në Tëitter.

Janë dy vakanca, të shpallura nga Presidenti i Republikës, të cilat janë në proces shqyrtimi nga ana e Këshillit të Lartë të Emërimeve, si dhe kandidaturat e tjera që përkasin Gjykatës së Lartë, por për të cilat ende nuk ka ndonjë parashikim se kur do të mund të plotësohen, duke qenë se vetë kjo Gjykatë është ende me një numër tejet të reduktuar të anëtarëve të saj.

Për njërën nga vakancat e presidentit, përveç emrit të zotit Binaj, është dhe kandidatura e Sonila Bejtes. KED ka përfunduar vlerësimin, por situata u komplikua, pasi javën e shkuar, Gjykata administrative e Apelit, riktheu në garë kandidaten e skualifikuar Zhaklina Peto. Tani për të procedura duhet të nisë nga e para, ndonëse KED mbetet të vlerësojë nëse do të rishikojë pozicionin e saj, në raport me vednimin e Gjykatës.

Për vakancën e tretë, po të presidentit, në garë kishin mbetur 3 emra. Duke hequr kandidaturën e zotit Binaj, i cili tanimë pritet vetëm të bëjë betimin te Kreu i Shtetit, janë ato të Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos, ky i fundit, u kualifikua në mbledhjen e së premtes së kaluar, kështu që do t’i nënshtrohet procesit që nis fillimisht me vlerësimin.

Mbetet për të parë se si do të jetë ecuria e procesit me kandidaturat për vakancat e presidentit. Aktualisht, nëse do të llogarisim dhe zotin Binaj, Gjykata Kushtetuese ka 5 nga 9 anëtarët e saj. Nëse do të mund të emërohet dhe një tjetër, atëherë arrihet minimum i nevojshëm që ajo të mblidhet në seancë plenare.

Ambasadorja amerikane, e cila ka këmbëgulur që të arrihet që Gjykata të bëhet funksionale brenda fundit të viti, theksoi në postimin e saj në Tëitter se “Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo perfekte. Por ajo po bën përparim, hap pas hapi, dhe duhet të vijojë”, shkruajti ambasadorja Kim, duke shtuar se “SHBA-të do të vazhdojnë për të mbështetur fuqimisht dëshirën e popullit për një sistem gjyqësore i cili është transparente, i ndershëm dhe tërësisht funksional”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG