Lidhje

SHBA ngrenë akuza të reja lidhur me rrëzimin e avionit mbi Lokërbi


Përkujtimore për viktimat e avionit Pan Am 103

Prokurori i Përgjithshëm në largim, William Barr njoftoi të hënën akuza penale ndaj një të dyshuari tjetër për hedhjen të erë të avionit të kompanisë Pan Am mbi Lokerbi të Skocisë në 1988.

Akuzat kundër Abu Agela Masud, ish-zyrtar i lartë i zbulimit libian dhe prodhues bombash, ngrihen në 32-vjetorin e hedhjes së avionit në erë me 270 vetë në bord. Ky mbetet sulmi më i rëndë terrorist në historinë e Britanisë dhe i dyti më i rëndë për Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

“Mesazhi që u dërgojmë terroristëve në mbarë botën është se nuk do të kenë sukses nëse sulmojnë amerikanë; se kudo që janë, pavarësisht se sa kohë duhet, ne do t’i ndekim deri në vrimën e fundit të tokës për të çuar në vend drejtësinë,” tha zoti Barr në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit.

Zoti Barr tha se ky sulm ishte “me një rëndësi të veçantë” për të sepse ai ishte prokuror i përgjithshëm në administratën e Presidentit George H. W. Bush në 1991 kur autoritetet amerikane e skoceze ngritën akuza ndaj dy zyrtarëve të zbulimit libian lidhur me sulmin.

Fillimisht Libia mohoi çdo përfshirje në komplot. Por pas një presioni të madh ndërkombëtar e diplomatik, ra dakord në 1999 t’ia dorëzonte dy të dyshuarit Holandës, ku u nxorën para një gjykate speciale skoceze.

Një nga dy të akuzuarit, Abdel Baset Ali al-Megrahi, u dënua me burgim të përjetshëm në 2001. Ai u lirua më pas për arsye humanitare, pasi vuante nga kanceri dhe vdiq disa muaj më pas. I dyti, Lamen Khalifa Fhimah, u lirua nga akuzat.

Në vitin 2003, regjimi i Muamar Kadafit pranoi përgjegjësinë për sulmin dhe u pagoi më pas 2.7 miliardë dollarë familjeve të viktimave.

21 dhjetor 2020
21 dhjetor 2020

Zoti Barr tha se provat e reja që çuan në ngritjen e akuzave të fundit dolën kur agjencitë e zbulimit mësuan në 2016 se Masud ishte arrestuar pas rrëzimit të regjimit të Kadafit në 2011 dhe ishte intervistuar nga një oficer libian në shtator 2012.

Sipas dokumenteve të padisë të bëra të ditura të hënën, Masudi kishte prodhuar bombën që hodhi në erë avionin dhe kishte bashkëpunuar me dy komplotistë të tjerë.

Dokumentet ngrenë pretendimin se akti u urdhërua nga zbulimi libian dhe se pas hedhjes në erë të avionit Kadafi “kishte përgëzuar Masudin për sulmin e suksesshëm kundër SHBA”.

Hedhja në erë e avionit që po udhëtonte drejt Nju Jorkut la të vdekur 270 persona, ndër to 259 pasagjerë e ekuipazh dhe 11 persona në tokë. Viktimat përfshinin 35 studentë të Universitetit të Sirakuzës që po ktheheshin në atdhe pas një semestri jashtë vendit. Incidenti la të vdekur shtetas nga 21 vende.

Lockerbie bombing
Lockerbie bombing


Hedhja në erë e avionit ishte siç duket akt hakmarrës ndaj përgjigjes së Presidentit Regan ndaj bombës së 1986 në një klub në Berlin të frekuentuar nga personel ushtarak amerikan.

Masudi besohet se ishte i përfshirë në sulmin në klubin e natës, që la të vrarë dy ushtarakë amerikanë dhe një turke, sipas padisë. Ai po mbahet nën arrest nga autoritetet libiane dhe zoti Barr tha se shpreson që libianët do ta dorëzojnë për t’u gjykuar në SHBA.

“Më në fund, ky individ përgjegjës për vrasjen e amerikanëve e shumë të tjerëve do t’i përgjigjet drejtësisë për krimet e kryera,” tha zoti Barr.

Kara Weipz, e cila humbi të vëllain, Rick Monetti nga ky shpërthim, tha se familjet e viktimave ndjehen “të justifikuara” dhe “të shpaguara”.

“Motoja e anëtarëve të familjes lidhur me 32 vitet e fundit ka qenë ‘E vërteta duhet të dalë në dritë‘,” tha në një konferencë për shtyp zonja Weipz, e cila është presidente e shoqatës së viktimave të avionit Pan Am Flight 103.

“Dita e sotme konfirmon atë që e kemi besuar si të vërtetë prej kohësh dhe është një hap përpara për të mbajtur përgjegjës ata që janë autorët e vrasjes së 270 personave të pafajshëm më 21 dhjetor 1988”.

Roli i Masudit në hedhjen në erë të avionit u përmend në një serial dokumentar të kanalit PBS, të realizuar nga producenti Ken Dornstein, vëllai i të cilit, David Dornstein, ishte një ndër viktimat.

Pas nxjerrjes nga burgu të al-Megrahit në 2009, producenti Dornstein e ndjeu të nevojshme “të kërkonte përgjigje për një numër pyetjesh” lidhur me kursin e hetimeve të tij për rolin e Masudit.

Një ish-agjent i FBI-së i tha producentit se FBI-ja ishte në dieni të aktivitetit të Masudit, por nuk mund ta identifikonte, sipas kanalit PBS.

XS
SM
MD
LG