Lidhje

FIFA dorëzon një ankesë penale kundër ish-presidentit Sepp Blatter


FILE - A general view shows the future FIFA World Football Museum in Zurich, Switzerland, Jan. 8, 2016.
FILE - A general view shows the future FIFA World Football Museum in Zurich, Switzerland, Jan. 8, 2016.

FIFA ka bërë një ankesë penale kundër ish-presidentit Sepp Blatter lidhur me financat e humbura të muzeut të saj të futbollit në Zyrih.

Organi drejtues i Futbollit tha të martën se dyshonte se ka patur "keqmenaxhim kriminal nga ish menaxhmenti i FIFA-s dhe kompanitë e emëruara prej tyre" për të punuar në hapjen e muzeut, që prej kohësh shihej si një projekt i përkëdhelur i zotit Blatter, në një ndërtesë të rinovuar dhe të marrë me qira në qendër të qytetit.

Muzeu Botëror i Futbollit i FIFA-s u hap në vitin 2016 pasi 140 milionë dollarë u shpenzuan për rinovimin e një ndërtese zyrash të vitit 1970, në të cilin u përfshi edhe ndërtimi i 34 apartamenteve për lëshim me qera.

Muzeu ishte menduar të hapej rreth majit të vitit 2015, kur zoti Blatter fitoi mandatin e pestë presidencial, por u vonua deri pas largimit të tij nga posti mes presionit nga hetimet amerikane dhe zvicerane të zyrtarëve ndërkombëtarë të futbollit.

Blatter angazhoi FIFA-n në një kontratë qiraje me pronarin e ndërtesës, firmën e sigurimeve Swiss Life, që kërkoi t’i paguheshin 360 milionë dollarë deri në vitin 2045 me norma më të larta se ato të tregut, tha organi botëror i futbollit.

Sepp Blatter
Sepp Blatter

FIFA tha se ankesa e saj penale pas një kontrolli nga jashtë të projektit u dorëzua me dorë tek prokurorët e kantonit në Zyrih.

"Ky kontroll zbuloi një gamë të gjerë rrethanash të dyshimta dhe dështimesh në menaxhim, disa prej të cilave mund të jenë me natyrë kriminale dhe që për këtë arsye duhet të hetohen si duhet nga autoritetet përkatëse", tha në një deklaratë zëvendës sekretari i FIFA-s, Alasdair Bell.

Prokuroria e Zyrihut pranoi marrjen e ankesës pa dhënë më shumë detaje.

Avokati i zotit Blatter, Lorenz Erni, tha në një deklaratë se: "Pretendimet janë të pabazuara dhe mohohen me forcë".

Zoti Blatter rrezikon hetimin në nivelin lokal ndërsa tashmë është i dyshuar në dy procedime penale të hapura nga prokurorët federalë mbi mënyrën se si i ka shpenzuar paratë e FIFA-s si president.

Këto hetime përfshijnë pagesën prej 2 milionë dollarësh që FIFA i ka dhënë ish-presidentit të UEFA-s Michel Platini në vitin 2011 dhe 1 milion dollarë organit të futbollit në Trinidad dhe Tobago, në mënyrë efektive për të turpëruar ish-nënpresidentin e FIFA-s Jack Warner, disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme në ishujt e Karaibeve në vitin 2010.

"Duke patur parasysh kostot masive të lidhura me këtë muze, si dhe mënyrën e përgjithshme të punës së menaxhimit të mëparshëm të FIFA-s, u krye një kontroll i hollësishëm në mënyrë që të zbulohej se çfarë kishte ndodhi", tha zoti Bell.

Muzeu ka shënuar humbje çdo vit duke përfshirë 50 milionë dollarë në vitin 2016 që përfshinte kostot e njëhershme, thuhej në raportin e atëhershëm financiar të FIFA-s.

Llogaritë më të fundit të FIFA-s për vitin 2019 tregojnë se ka patur gati 3.5 milionë dollarë të ardhura nga Muzeu Botëror i Futbollit dhe 6.3 milionë dollarë kosto për "investime dhe shpenzime". Muzeu kishte një numër rekord prej 161.700 vizitorësh në ndërtesën e Zyrihut vitin e kaluar.

Në llogaritë e vitit 2018, të ardhurat e muzeut ishin pothuajse 4 milionë dollarë kundrejt 12 milionë dollarëve në shpenzime.

Muzeu i FIFA-s u identifikua ngushtë me zotin Blatter që nga koha kur u njoftua ndërtimi i tij në prill të vitit 2012.

Komiteti i tij ekzekutiv tashmë kishte miratuar 180 milionë franga zvicerane (203 milionë dollarë) për atë që quhej "Projekti Libero" dhe parashikoi të tërhiqte 300,000 vizitorë në vit.

"Ka ardhur koha që futbolli botëror të ketë një vend takimi për miliona tifozë të tij", tha Blatter atëherë për muzeun që fillimisht do të ndërtohej pranë selisë së FIFA-s.

Një vit më vonë, plani u ndryshua nga ndërtimi i një ndërtese të re në rinovimin e një ndërtese në pronësi të kompnisë Swiss Life.

FIFA tha në një njoftim për shtyp të vitit 2013 se nënshkroi një marrëveshje qeraje 40-vjeçare të ndërtesës "Haus zur Enge". Muzeu do të "shfrytëzonte dy kate të ndërtesës, bodrumin dhe katin e parë" me hapësira për zyra dhe katin e nëntë ku do të ndërtoheshin apartamente banimi.

"Projekti i muzeut të FIFA-s është një fat i mirë për Zyrihun dhe është një përshtatje perfekte për politikën e investimeve të (kompanisë) Swiss Life", thoshte kryetari i firmës së sigurimeve, Rolf Dörig, në deklaratën e FIFA-s.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Swiss Life tha se "ne e konsiderojmë këtë si një çështje të FIFA-s. Prandaj, nuk kemi asnjë koment tjetër".

Kur muzeu u hap zyrtarisht më 28 Shkurt të vitit 2016, ajo ishte dita e parë publike në detyrë për presidentin e ri të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ishte zgjedhur dy ditë para hapjes zyrtare të muzeut.

Zoti Blatter nuk mori pjesë në ceremoninë e hapjes dhe kishte filluar masën e një ndalimi nga ngjarjet e futbollit të vendosur nga komisioni për etikën i FIFA-s pasi autoritetet zvicerane zbuluan pagesën që kishte marrë Platini në shtator të vitit 2015. Masa ndaluese skadon tetorin e ardhshëm kur Blatter do të bëhet 85 vjeç.

FIFA tha të martën se dosjet e saj mbi projektin e muzeut do t'u dërgohen hetuesve të etikës.

Ankesa penale kundër zotit Blatter është veprimi i fundit në një vit të ngarkuar në hetimet penale të lidhura me presidentët e kaluar dhe të tanishëm të FIFA-s.

Të paktën katër ankesa penale u ngritën në mënyrë anonime kundër Prokurorit të Përgjithshëm të zotit Infantino dhe Zvicrës, Michael Lauber-it, për tre takime që kishin nodhur në vitet 2016 dhe 2017. Zoti Lauber u detyrua të jepte dorëheqje nga posti pasi nuk i dha informacione të sakta një komisioni që mbikëqyr punën e tij.

Një prokuror special i caktuar nga parlamenti i Zvicrës për të shqyrtuar takimet hapi një rast ligjor kundër zotit Infantino në korrik. Akuzat e mundshme përfshijnë nxitjen e zotit Lauber për abuzim me postin e tij publik.

Zoti Blatter bisedoi këtë muaj me prokurorin special, Stefan Keller.

Prokurori Keller gjithashtu rekomandoi këtë muaj që prokurorët federalë të hetojnë zotin Infantino për përdorimin e një avioni privat për të kryer funksionet e FIFA-s në vitin 2017. Prokurori Keller nuk mund të hapte një hetim ligjor ndaj tij sepse detyrat e tij janë të kufizuara në çështjet që përfshijnë zotin Lauber.

FIFA tha dy javë më parë se deklarata "keqdashëse dhe shpifëse" e prokurorit Keller "është një përpjekje për vrasje të karakterit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG