Lidhje

Presidenti Trump fal 15 persona, përfshirë aleatë republikanë


Presidenti Donald Trump fali të martën 15 persona, përfshirë aleatë republikanë, një zyrtar të fushatës të vitit 2016 i implikuar në hetimin për Rusinë dhe ish-kontraktorë qeveritarë të dënuar për një masakër të vitit 2007 në Bagdad.

Presidenti Trump fal 15 vetë, mes tyre ish-aleatë e bashkëpunëtorë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00


Trump gjithashtu zbuti dënimet e pesë personave. Megjithëse nuk është e pazakontë që presidentët të bëjnë falje në fund të mandatit, zoti Trump e ka bërë të qartë se nuk heziton të ndërhyjë në rastet e miqve dhe aleatëve të cilët ai beson se janë trajtuar padrejtësisht. Gjithsesi, pavarësisht spekulimeve, në listë nuk ishin përfshirë anëtarë të familjes së vetë zotit Trump, avokati i tij personal Rudy Giuliani apo vetë presidenti.

Faljet përfshinin ish-anëtarët republikanë të Kongresit, Duncan Hunter nga Kalifornia dhe Chris Collins nga Nju Jorku. ZotiTrump zbuti dënimin e ish-kongresmenit Steve Stockman të Teksasit.

Zoti Collins, anëtari i parë i Kongresit që e mbështeti zotin Trump në fushtën për president, u dënua me dy vjet e dy muaj burg pasi pranoi se kishte ndihmuar të birin dhe persona të tjerë të shmangnin 800,000 dollarë humbje në tregun e aksioneve kur mësoi se prova e një ilaçi i një kompanie të vogël farmaceutike, kishte dështuar.

Zoti Hunter u dënua me 11 muaj burg pasi u deklarua fajtor për vjedhje të fondeve të fushatës dhe shpërdorim parash që nga daljet me miqtë deri në festën e ditëlindjes së vajzës së tij.

Presidenti Trump njoftoi gjithashtu për faljen e aleatëve të tij të implikuar në hetimin për Rusinë. Njëra ishte për George Papadopulos, këshilltari në fushatën e tij në vitin 2016, biseda telefonike e të cilit solli në nxitjen e hetimit për Rusinë që shoqëroi presidencën e zotit Trump për gati dy vjet. Ai gjithashtu fali avokatin hollandez Alex van der Zwaan, i cili u dënua me 30 ditë burg se kishte gënjyer hetuesit gjatë hetimit të këshilltarit të posaçëm Robert Mueller.

Van der Zwaan dhe Papadopulos janë të pandehurit e tretë dhe të katërt të hetimit për lidhjet me Rusinë, të cilët u falën.

Muajin e kaluar, zoti Trump fali ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn, i cili ishte shpallur dy herë fajtor se kishte gënjyer FBI-në dhe muaj më parë ndryshoi dënimin e një bashkëpunëtori tjetër, Roger Stone, ditë para se ai të paraqitej në burg.

Në grupin e njoftuar të martën, ishin katër ish-kontraktorë qeveritarë të dënuar në një masakër të vitit 2007 në Bagdad që la të vdekur më shumë se dhjetë civilë irakianë dhe shkaktoi një reagim të ashpër ndërkombëtar për përdorimin e rojeve private të sigurisë në një zonë lufte.

Mbështetësit e ish-kontraktorëve të kompanisë Blackwater Worldwide Nicholas Slatten, Paul Slough, Evan Liberty dhe Dustin Heard, kishin lobuar për faljen e tyre, duke argumentuar se ndëshkimi i tyre ishte i ekzagjeruar. Të katër po vuanin dënime të gjata me burg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG