Lidhje

Gjatë vitit 2020 shkatërrimit klimatik iu shtua edhe pandemia


Megjithëse COVID-19 dominoi vitin 2020, ndryshimet klimatike nuk u ndalën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona, i hedh një vështrim progresit dhe shkatërrimit në vitin e pestë të marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike.

Shkatërrimit klimatik iu shtua edhe pandemia gjatë 2020-tës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Gjatë vitit 2020, zjarret në pyje arritën rekorde të reja nga Kalifornia në Siberi. Në Oqeanin Atlantik u shfaqën më shumë urganë se ndonjëherë më parë. 2020 do të jetë ndoshta viti i dytë më i nxehtë në histori.

Ndërsa rritej temperatura e planetit, bota u pushtua nga COVID-19. Pandemia e koronavirusit zbrazi rrugët dhe ndali udhëtimin ajror. Kjo e uli ndotjen e planetit nga gazrat karbonikë me një rekord prej 7%. Por, kjo nuk është diçka për t’u festuar, thotë drejtori i Institutit të Burimeve Botërore, Dan Lashof.

“Ulja e ndotjes që pamë gjatë 2020-tës për shkak të COVID-it nuk është mënyra e duhur për të zvogëluar gazrat ndotës. Nuk ka dyshim për këtë. Dhe shumica do të rikthehet sërish sapo të rimëkëmbet ekonomia”, thotë zoti Lashof.

Në mbarë botën nevojiten ndryshime thelbësore. Disa vende e shtuan angazhimin e tyre këtë vit, thotë profesori i Universitetit të Kolumbias, Michael Gerrard.

“Zhvillimi më i rëndësishëm në politikat klimatike vitin e kaluar ishte ndoshta njoftimi nga Presidenti kinez Xi se objektivi i Kinës ishte të arrinte deri në vitin 2060 nivelin zero të çlirimit të gazrave ndotës. Disa nga vendet e Evropës gjithashtu rritën ambiciet e tyre klimatike. Pra pjesa më e madhe e botës po lëviz në këtë drejtim”, thotë zoti Gerrard.

Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e Presidentit Donald Trump, kanë lëvizur në drejtimin e kundërt, thotë zoti Gerrard, duke lehtësuar rregullat mjedisore dhe duke nxitur prodhimin e energjisë nga burimet minerare.

Por, fitorja e Joe Biden-it në nëntor shënon një drejtim të ri, thotë ai.

“Nuk ka asnjë pikëpyetje se Presidenti i zgjedhur Biden do të bëjë një kthesë 180 gradë nga veprimet e Presidentit Trump”, thotë zoti Gerrard.

Zoti Biden e ka bërë prioritet luftën ndaj ndryshimeve klimatike. Një Kongres i përçarë do t’i ulte shanset sidoqoftë për masat ndaj çlirimit të gazrave ndotës.

Shtetet amerikane mund të shkojnë edhe më tej. Siç veproi p.sh. Guvernatori i Kalifornisë këtë vit, i cili urdhëroi dhënien fund të shitjeve të makinave me karburant deri në vitin 2035.

Bankat dhe investitorët gjithashtu treguan më pak interes këtë vit tek burimet minerare. Bankat kryesore thanë se nuk do të investojnë tek projektet e karburantit dhe gazit natyror në Arktik. Për herë të parë, Rezerva Federale bëri thirrje për të vepruar ndaj ndryshimeve klimatike, thotë zoti Lashof.

“Ideja se ndryshimet klimatike përbëjnë një rrezik serioz për sistemin financiar amerikan pranohet gjerësisht, dhe viti 2020 ishte vërtet përcaktues”, thotë zoti Lashof.

2020-ta shënon përvjetorin e pestë të marrëveshjes së Parisit ndaj ndryshimeve klimatike. Por, bota nuk është askund pranë objektivave që udhëheqësit kanë vendosur për të ndalur ngrohjen globale, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Angazhimet e marra në Paris ishin larg atyre që duheshin, por as ato nuk po përmbushen”, thotë zoti Guterres.

Temperatura e Tokës vazhdoi të rritet gjatë 2020-tës, dhe shkencëtarët thonë se koha po mbaron për përpjekjet për ta ulur atë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG