Lidhje

Burime të BE-së: Britania dhe BE-ja pranë marrëveshjes tregtare


Bashkimi Evropian dhe negociatorët britanikë po shkojnë drejt një marrëveshjeje tregtare ndërsa po afron afati përfundimtar i daljes së Britanisë nga blloku prej 27 vendesh. Lajmi u bë i ditur nga dy zyrtarë të BE-së të mërkurën.

Zyrtarët thanë se negociatorët po punojnë për të zgjidhur deri mesnatën e së mërkurës një çështje mbi të drejtat e peshkimit në ujërat britanike, me shpresën për të shmangur një ndarje të çrregullt ekonomike mes palëve.

Një nga burimet, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të bisedimeve ende në vazhdim, tha se ato kishin hyrë në fazën përfundimtare.

"Pres që të shoh tym të bardhë sonte", tha zyrtari në mënyrë figurative duke nënkuptuar arritjen e marrëveshjes.

Që prej largimit zyrtarisht nga BE-ja më 31 janar, Britania menjëherë hyri në një periudhë tranzicioni ekonomik 11-mujor, duke u dhënë kohë negociatorëve për të arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë për të lehtësuar daljen e saj nga tregu i vetëm dhe bashkimi doganor në fund të këtij viti.

Negociatorët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje që do të siguronte që tregtia vjetore e mallrave mes dy palëve, me vlerë gati 1 trilion dollarë, të vazhdonte të ishte e përjashtuar nga tarifat dhe kuotat.

Britania po bën thirrje për vendosjen e kuotave për anijet e BE-së në ujërat britanike ndërsa burime nga të dyja palët kanë raportuar përparim në bisedime.

Një diplomat i BE-së tha se negociatorët më parë kishin arritur një kompromis mbi shqetësimet e BE-së se Britania do të dobësonte rregullat e ndihmës sociale, mjedisore dhe shtetërore të bllokut për të fituar një avantazh të padrejtë me eksportet e saj në BE. Britania thotë se rregullat e BE-së do të shkelnin sovranitetin e saj.

Eshte e paqartë se si do të zhvillohej tregtia mes të palëve nëse nuk arrijnë të përmbushin afatin e fundit me 1 janar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG