Lidhje

Tiranë: Kryeministri Rama replikon me Presidenten e Kosovës në detyrë, Osmani


Një javë pas vizitës në Tiranë të Presidentes së Kosovës në detyrë, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot që ishte i shqetësuar prej disa kohësh se politika e jashtme dhe ajo e brendshme e Kosovës kanë këmbyer rolet.

Zoti Rama i bëri këto komente pasi u pyet nga shtypi vendas mbi vizitën dhe fjalimin e Presidentes së Ksoovës në detyrë, Vjosa Osmani në parlamentin e Shqipërisë.

Ai nuk ishte i pranishëm në sallën e parlamentit një javë më parë gjatë fjalimit të zonjës Osmani, ndërsa sot tha se udhëheqës të ndryshëm në Kosovë kanë qasje të ndryshme ndaj Shengenit rajonal.

“Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime dhe kryeministri i një qeverie legjitime të firmosin, me vullnetin e shtetit të Kosovës brenda kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji, në Shtëpinë e Bardhë për Shengenin rajonal, dhe një president në detyrë të shfaqet në Tiranë, pra jashtë Kosovës, dhe bën politikë të brendshme këtë shtyllë të politikës së jashtme të Shqipërisë, që në këtë rast është edhe e Kosovës" - tha zoti Rama.

Ai e quajti grotesk dhe jodashamirës debatin për traun e autostradës Durrës - Kukës, sepse si tha zoti rama, “e paraqesin atë si një kufi i vendosur për Kosovën, duke bërë politikë të brendshme me një cështje administrative të një vendi fqinj, dhe të bësh propagandë në Tiranë për të fituar vota në Prishtinë me demagogji dhe një retorikë absurde".

“Nëse për zonjën Vjosa Atdheu është Kosova dhe Shqipëria, atëherë ky është një tra në mes të Atdheut, që duhet ta paguajnë të gjithë atdhetarët kontributin për atë rrugë, që është një rrugë e Atdheut. Kjo vlen për të gjithë ata që e përdorin rrugën” - tha zoti Rama.

Ai tha se me paratë e mbledhura, ajo rrugë po pajiset me të gjithë standartet e sigurisë, ndërsa më parë ishte një rrugë e rrezikshme.

Një javë më parë Ushtruesja e Detyrës - Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti një fjalim në Parlamentin e Shqipërisë, ku bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë ekonomik e diplomatik mes dy vendeve, si dhe për t’ia ndalur Beogradit gjuhën e urrejtjes antishqiptare dhe përpjekjet për të fshehur krimet dhe genocidin serb kundër popullit të Kosovës.

“Duhet të punojmë bashkë të gjithë si dy shtete sovrane me dy flamuj por me një shpirt që kurrë nuk ka mundur askush ta mposhtë, si populli më paqedashës, më proevropian, më proamerikan. T’i tregojmë botës mbarë se ne mund dhe do t'ja dalim t’i kthejmë dallimet tona në forcë për t’i shtyrë shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit europian vendosja e cfarëdo barriere në komunikimin në mes të dy vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore” - tha zonja Osmani.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës vlerësohen si shumë të mira dhe me hapësira të shumta për bashkëpunim më të ngushtë. Megjithatë politikanë kryesorë në dy anët e kufirit shkëmbejnë replika mes tyre sa herë që përmenden raportet e këtyre dy vendeve me Serbinë në nivel dypalësh apo rajonal.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG