Lidhje

Çfarë qëndron pas faljeve të Presidentit Trump?


Presidenti Donald Trump po përdor fuqinë e tij të faljes për të shpëtuar aleatët personalë e politikë të tij, mes tyre një zyrtar të fushatës presidenciale të tij të vitit 2016, pjesë e të ashtuquajturit hetimi mbi Rusisë dhe ish-kontraktorë të qeverisë, dënuar për një masakër të vitit 2007 në Bagdad.

Çfarë qëndron pas faljeve të Presidentit Trump?
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00

Veprimet e zotit Trump në javët e tij të fundit në detyrë tregojnë një president i cili po përdor fuqinë e tij ekzekutive për të shpërblyer besnikët e tij e të tjerë persona që ai beson se janë ndëshkuar pa të drejtë nga një sistem ligjor që ai e sheh të njëanshëm ndaj tij dhe aleatëve të tij. Të martën zoti Trump publikoi faljet e para, një veprim jo i pazakontë për një president në largim, edhe pse ai refuzon të pranojë publikisht humbjen në zgjedhje ndaj demokratit Joe Biden, i cili do të betohet më 20 janar.

"Ajo që është interesante në lidhje me grupin e fundit të faljeve nga Presidenti Trump është se shumë prej tyre janë përqendruar tek njerëzit me të cilët ai ka një lidhje personale ose politike. Për shembull, ne pamë të faleshin dy të pandehur në hetimin ndaj Rusisë. Pamë të faleshin dy ish-ligjvënës të cilët ishin mbështetës të mëdhenj të tij, personazhe të njohur politikë, mbështetës të hershëm të tij. Ishte vërtet interesante të shihje faljen e dy të pandehurve të tjerë të cilët ishin të implikuar në hetimin mbi Rusisë të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller. Njëri prej tyre ishte George Papadopulos, i cili u deklarua fajtor se kishte gënjyer FBI-në në lidhje me një takim që në fakt u bë shkak për fillimin e hetimeve ndaj Rusisë", thotë gazetari i Associated Press Eric Tucker.

Mes atyre që përfituan falje ishin dy nga ligjvënësit e Partisë Republikane të cilët i dolën shumë shpejtë në mbështetje zotit Trump gjatë fushatës presidenciale të tij në 2016, ish-ligjvënësi Duncan Hunter i Kalifornisë dhe Chris Collins i Nju Jorkut. Zoti Trump gjithashtu uli dënimet e pesë personave, përfshirë dhe ish-ligjvënësin Steve Stockman të Teksasit.

Zoti Tucker thotë se nuk ka asnjë arsye të qartë se pse zoti Trump vendosi të ulë dënimet zyrtarëve të qeverisë që kryejnë krime financiare.

"Chris Collins ishte i implikuar në praktika të paligjshme të tregtimit në bursë për shkak të qasjes tek informacionet konfidenciale. Duncan Hunter u dënua për vjedhje të fondeve nga fushata e tij dhe përdorimin e tyre për një shumëllojshmëri shpenzimesh personale. Pra, përveç të qenit i lidhur me Presidentin Trump, nuk është e qartë se cila do të ishte baza për të besuar se ata e meritonin faljen", thotë ai.

Presidenti fali gjithashtu Alex van der Zwaan, një avokat holandez i cili u dënua me 30 ditë burg se kishte gënjyer hetuesit gjatë hetimit të zotit Mueller.

Shoqëruar dhe me faljet e zyrtarëve të tjerë të përfshirë në hetimin mbi Rusinë, si ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare Michael Flynn dhe bashkëpunëtori i zotit Trump, Roger Stone, të cilin presidenti i fali të mërkurën, zoti Tucker thotë se qëllimi është i qartë se pse janë kryer këto falje presidenciale.

"Përfaqëson realisht një përpjekje të vazhdueshme nga presidenti për të zhbërë në thelb rezultatet e hetimit të zotit Mueller", thotë ai.

Në grupin e njoftuar të martën në mbrëmje ishin katër ish-kontraktorë qeveritarë të dënuar për një masakër të vitit 2007 në Bagdad që la pas më shumë se 12 civilë irakianë të vrarë dhe shkaktoi trazira ndërkombëtare për përdorimin e rojeve të sigurisë private në një zonë lufte.

Mbështetësit e Nicholas Slatten, Paul Slough, Evan Liberty dhe Dustin Heard, ish-kontraktorë në Blackwater Worldwide, kanë lobuar për falje, duke argumentuar se ata ishin ndëshkuar rëndë si pjesë e një hetimi e ndjekjeje penale që siç thonë ata, ishte njollosur nga problemet e që shmangu provat që i tregonte ata të pafajshëm. Të katër po vuanin dënime të gjata me burg.

Faljet pasqyrojnë gatishmërinë e dukshme të zotit Trump për t'u dhënë mundësinë që pretendimet e anëtarëve të shërbimit amerikan dhe kontraktorëve të besohen, kur bëhet fjalë për akte dhune kundër civilëve në zonat e luftës. Nëntorin e kaluar ai fali një ish-komando të ushtrisë amerikane, i cili pritej të dilte në gjyq vitin tjetër për vrasjen e një afgani që dyshohej se prodhonte bomba dhe një ish-toger të ushtrisë të dënuar për vrasje pasi kishte urdhëruar njerëzit e tij që të qëllonin ndaj tre afganëve.

"Kjo krijoi shqetësim ndërkombëtar mes Bagdadit dhe Uashingtonit. Ishte një problem i madh. Ndaj faljet kanë tërhequr shumë vëmendje, negative nga njerëzit", thotë zoti Tucker.

Siç pritej, Presidenti Trump njoftoi edhe për falje të tjera të mërkurën përfshirë ish-menaxherin e tij të fushatës Paul Manafort dhe Charles Kushner, babain e dhëndrit të tij Jared Kushner. Ka pasur zëra se ai do të falte edhe anëtarë të familjes së tij dhe avokatin e tij personal Rudy Giuliani, por deri tani ato nuk janë materializuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG