Lidhje

United, Delta u kërkojnë pasagjerëve nga Britania testet për COVID


Kompanitë ajrore United Airlines dhe Delta Air Lines po u kërkojnë të gjithë pasagjerëve që udhëtojnë nga Mbretëria e Bashkuar për në Shtetet e Bashkuara, të paraqesin prova se janë testuar negativ për COVID-19, brenda 72 orësh nga nisja e tyre.

Vendimi pason shfaqjen e një varianti të ri shumë më ngjitës të koronavirusit në Britani, që ka nxitur shumë vende të mbyllin kufijtë e tyre me Mbretëria e Bashkuar.

Rregulli i vendosur nga Delta ka hyrë në fuqi nga sot (24 dhjetor), ndërsa ai e kompanisë ajrore United fillon më 28 dhjetor.

Pasagjerëve do t'u kërkohet të tregojnë testin përgjigjia e të cilit është negative për COVID-19 ose testin e antigjenit. Ndërkohë në një qendër testimi në aeroportin e Heathrow-s do të jenë në dispozicion për pasagjerët teste të shpejta para fluturimit brenda së njëjtës ditë.

Në fillim të kësaj jave, anëtarët e grupit të punës për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë rekomanduan që qeveria amerikane t’u imponojë pasagjerëve nga Britania kryerjen e testeve për COVID-19. Por administrata Trump vendosi të mos ndërmarrë veprime, njoftoi agjencia Reuters duke iu referuar personave në dijeni të çështjes.

Administrata ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të lëshojë urdhra mbi sigurinë për udhëtimet ajrore të lidhura me COVID-19-n, duke ia lënë vendimet në dorë vetë linjave ajrore.

Të hënën, tre linja ajrore që kryejnë fluturime nga Londra për në aeroportin JFK, Delta, British Airways dhe Virgin Atlantic ranë dakord me një kërkesë të Guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo që të kontrollojnë pasagjerët nga Britania.

Delta gjithashtu kryen fluturime Londër-Atlanta.

Kompania United ka aktualisht katër fluturime të përditshme nga aeroporti i Londrës, Heathrow, për në Chicago, Newark të Nju Jorkut, në Dulles të Washington-it dhe San Francisco. Ajo njoftoi në fillim të këtij muaji se do të kryejë vetëm dy fluturime ditore në janar, për në Çikago dhe Newark.

Linjat ajrore amerikane tashmë kanë ulur në mënyrë drastike fluturimet për në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në pjesën tjetër të Evropës.

American Airlines, me fluturime të përditshme Londër-Dallas, ende nuk ka njoftuar ndonjë kërkesë për teste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG