Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet thanë se kanë arrestuar tetë persona, që sipas tyre janë pjesëtarë të organizatës terroriste ISIS.
Autoritetet e rendit thanë se personat janë arrestuar gjatë bastisjeve në Kumanovë dhe në Shkup.
Ata thanë se në bashkëpunim me Agjencinë per siguri kombëtare dhe prokurorinë e kishin ndjekur grupin që prej muajit gusht.
Grupi, sipas njoftimit, synonte vrasje dhe shkatërrim të objekteve publike për të krijuar ndjenjën e frikës dhe pasigurisë tek qytetarët.
Policia nuk e ka publikuar identitetin e plotë të anëtarëve të grupit, por vetëm inicialet e emrave dhe mbiemrave. Në një video të lëshuar nga Ministria e Brendshme nuk duken fytyrat e të arrestuarve që po dërgoheshin në stacione policore.
Autoritetet thanë se grupi kishte siguruar mjete financiare, armë, municion dhe pajisje ushtarake, përgatitur mjete të improvizuara shpërthyese dhe i kishte provuar dhe aktivizuar ato.
Sipas policisë, personat kishin përdorur aplikacionin WhatsApp për komunikimin midis tyre.
Autoritetet thanë se një nga anëtarët e grupit kishte marrë pjesë në formacione paraushtarake jashtë Maqedonisë së Veriut, si pjesëtar i organizatës Shteti Islamik.
Facebook Forum