Lidhje

Studimi: Britania duhet të vaksinojë 2 milionë njerëz në javë për të parandaluar një valë të tretë të COVID-19


Britania duhet të vaksinojë 2 milionë njerëz në javë për të shmangur një valë të tretë të shpërthimit të koronavirusit - është ky përfundimi i një studimi nga universiteti i Londrës për higjenën dhe mjeksinë tropikale (LSHTM).

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Britania ka pasur më shumë se 71,000 vdekje nga koronavirusi dhe ka regjistruar që nga e hëna më shumë se 2.3 milionë raste të infeksioneve me COVID-19.

“Sipas skenarit më të skajshëm, nëse e gjithë Anglia dhe shkollat do të mbylleshin gjatë janarit dhe do të vaksinoheshin 2 milionë individë në javë, do të mund të arrihej të zvogëlohej ngarkesa maksimale e reparteve të emergjencës nën nivelet që u shënuan gjatë valës së parë," thuhet në studim.

"Në mungesë të shpërndarjes së konsiderueshme të vaksinave, rastet, shtrimet në spitale, pranimet në emergjencë dhe vdekjet në vitin 2021 mund të tejkalojnë ato që u shënuan në vitin 2020", thuhet në studim.

Sipas studimit, vaksinimi i 2 milionë njerëzve në javë "parashikohet të ketë një ndikim shumë më thelbësor".


Kryeministri Boris Johnson dhe këshilltarët e tij shkencorë kanë thënë se një variant i koronavirusit, i cili mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm, po përhapet me shpejtësi në Britani, megjithëse nuk mendohet të jetë më vdekjeprurës ose të shkaktojë sëmundje më të rëndë.

Kjo nxiti masa më të rrepta kufizuese për Londrën dhe Anglinë juglindore, ndërsa planet për të lehtësuar përhapjen e virusit gjatë Krishtlindjeve në të gjithë vendin u minimizuan në mënyrë drastike ose u hoqën plotësisht.

Njoftimet e medias gjatë fundjavës bënë të ditur se Mbretëria e Bashkuar do të fillojë administrimin e vaksinës për COVID-19 të prodhuar përmes partneritetit Oxford-AstraZeneca duke filluar nga 4 Janari, ndërsa miratimi i saj nga rregullatori mjekësor i vendit pritet brenda disa ditësh.

Në fillim të këtij muaji, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë në botë që filloi administrimin e vaksinës së prodhuar nga kompania Pfizer dhe BioNTech.

Qeveria britanike tha të enjten se 600,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dozën e parë të vaksinës COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG