Lidhje

Identifikohen viktimat e para të tërmetit në Kroaci


A view of remains of a car covered by debris and buildings damaged in an earthquake in Petrinja, Croatia, Tuesday, Dec. 29, 2020.
A view of remains of a car covered by debris and buildings damaged in an earthquake in Petrinja, Croatia, Tuesday, Dec. 29, 2020.

Një tërmet me magnitudë 6.4 goditi Kroacinë qendrore të martën, duke vrarë shtatë vetë, plagosur më shumë se 20 të tjerë dhe duke tronditur disa vende fqinje.

Ekipet e shpëtimit nxorën njerëz nga rrënojat e ndërtesave të shembura në qytetin Petrinja. Trupat e ushtrisë u dërguan në zonë për të ndihmuar.


Lëkundjet u ndien gjithashtu në kryeqytetin e Kroacisë Zagreb dhe deri në Vjenë të Austrisë. Sllovenia mbylli termocentralin e saj të vetëm bërthamor si masë paraprake.

Ishte tërmeti i dytë që goditi zonën brenda dy ditësh.

Qendra Gjermane e Kërkimeve për Gjeoshkencat GFZ tha se tërmeti goditi në orën 1119 GMT në një thellësi prej 10 km, me epiqendrën në Petrinja, 50 km në jug të Zagrebit.

"Deri tani, kemi pesë viktima në afërsi të qytetit Glina. Së bashku me një vajzë (12-vjeçare) nga Petrinja ka gjithsej gjashtë të vdekur," tha zëvendës Kryeministri Tomo Medved.

Policia tha se të paktën 20 njerëz u plagosën lehtë dhe gjashtë u plagosën më rëndë.

"Kërkimi nën rrënoja po vazhdon," tha policia në një deklaratë.

Tomislav Fabijanic, shefi i shërbimeve të urgjencës mjekësore në Sisak, tha se shumë njerëz u plagosën në Petrinja dhe Sisak dhe dëmtimet e tyre përfshinin thyerje të kockave dhe tronditje të trurit.

Kryeministri Andrej Plenkoviç, i cili nxitoi për në Petrinja, tha: "Ushtria është këtu për të ndihmuar. Ne do të duhet të zhvendosim disa njerëz nga Petrinja sepse është e pasigurt të jesh këtu."

Kreu i spitalit në Sisak tha më vonë se po trajtonte 20 vetë, dy me dëmtime të rënda.

Stacioni televiziv N1 tregoi pamjet e ekipit të shpëtimit në Petrinja duke tërhequr një burrë dhe një fëmijë të gjallë nga rrënojat.

Stacioni N1 tha gjithashtu se një kopsht u shkatërrua nga tërmeti, por se në atë kohë nuk kishte fëmijë në ndërtesë. Grumbuj tullash dhe pllakash ndotën rrugët e Petrinjës si pasojë e tërmetit dhe makinat e parkuara në rrugë u shkatërruan nga rrënojat e mbetjeve.

Një punëtor i cili po rregullonte një çati në një fshat jashtë Petrinjas i tha televizionit N1 se tërmeti e hodhi atë për tokë. Nëntë nga 10 shtëpitë në fshat u shkatërruan, tha ai.

TË MBULUAUR ME BATANIJE

Tërmeti u ndje gjithashtu në Zagreb, ku njerëzit dolën me shpejtësi në rrugë.

Pacientët dhe personeli mjekësor u evakuuan nga Spitali Sveti Duh i Zagrebit. Shumë njerëz u ulën në karrige në rrugë të mbështjellë me batanije.

Sipas stacionit ORF në qytetin e dytë të Austrisë, Graz, rreth 200 km në veri të Petrinjas, ndërtesat e larta u lëkundën për rreth dy minuta. Në provincën Carinthia, rreth 300 km në veriperëndim të Petrinjas, toka u lëkund për disa minuta dhe njerëzit përshkruanin se si mobiljet, pemët e Krishtlindjeve dhe dritat e tyre dridheshin nga lëkundjet.

Në Slloveni, agjencia e lajmeve STA tha se centrali i vetëm bërthamor i vendit, 100 km (60 milje) nga epiqendra, u mbyll si një masë paraprake.


Agjencia shtetërore e lajmeve Hina e Kroacisë tha se tërmeti u ndie në 12 shtete.

Ministri i Brendshëm Davor Bozinoviç tha se Kroacia po priste ndihmë nga Bashkimi Evropian pasi kishte aktivizuar mekanizmin e situatës emergjente.

Të hënën, një tërmet me magnitudë 5.2 goditi Kroacinë qendrore, gjithashtu pranë Petrinjës.

Në mars, një tërmet me magnitudë 5.3 tronditi Zagrebin, duke shkaktuar një të vdekur dhe duke plagosur 27 të tjerë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG