Lidhje

Ligjvënësit britanikë miratojnë marrëveshjen tregtare me BE


Në Britani Dhoma e Komuneve votoi me shumicë dërrmuese të mërkurën për të miratuar një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, hapi i fundit i rëndësishëm në shkëputjen e Londrës nga blloku prej 27 anëtarësh i kontinentit evropian.

Një ditë para afatit, ligjvënësit votuan 521-73 në favor të marrëveshjes për Brexit-in të arritur një javë më parë. Pasi të kalojë përmes Dhomës së Lordëve, organ i pazgjedhur, dhe të marrë miratimin zyrtar të Mbretëreshës Elizabeth, masa do të jetë pjesë e ligjit britanik.

Britania u largua nga Bashkimi Evropian pothuajse një vit më parë, por ndarja ekonomike do të finalizohet mesnatën e së enjtes në Bruksel. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Mitchel e nënshkruan marrëveshjen në Bruksel të mërkurën. Dokumentet u dërguan me aeroplanin e Forcave Ajrore Mbretërore në Londër për t’u nënshkruar nga Kryeministri Boris Johnson.

“Marrëveshja që ne nënshkruam sot është rezultat i negociatave disa mujore në të cilat Bashkimi Evropian ka shfaqur një nivel të paparë uniteti,” tha zoti Michel. “Është një marrëveshje e drejtë e ekuilibruar që mbron plotësisht interesat themelore të Bashkimit Evropian dhe krijon stabilitet dhe parashikueshmëri për qytetarët dhe kompanitë.”

Kryeministri Johnson e cilësoi marrëveshjen si “një marrëdhënie e re mes Britanisë dhe BE-së si sovranë të barabartë”. Kanë kaluar 4 vite e gjysmë që kur Britania votoi 52% me 48% për largimin nga blloku në të cilin u anëtarësua në vitin 1973.

Duke filluar nga e premtja. dita e parë e Vitit të Ri, marrëveshja tregtare siguron që Britania dhe BE mund të vazhdojnë tregtinë e mallrave pa tarifa apo kuota. Kjo do të ndihmojë në mbrojtjen e tregtisë vjetore prej 894 miliardë dollarë BE-Britani dhe qindra mijëra vende pune që varen nga ajo.

Por Brexit do të sjellë gjithashtu shqetësime, siç është nevoja që turistët të kenë siguracion kur udhëtojnë mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë dhe që kompanitë të plotësojnë miliona deklerata të reja doganore.

Por Kryeministri Johnson tha se Brexit do ta tjetërsojë Britaninë nga “një anëtar gjysmak dhe në disa raste pengues i BE-së në një fqinj miqësor si dhe mik dhe aleat të BE-së.”

Ai tha se Britania tani do të “tregtojë dhe bashkëpunojë me fqinjët evropianë në kushtet më të afërta të miqësisë dhe vullnetit të mirë, ndërsa mban kontrollin e sovranitetit të ligjeve dhe fatit kombëtar.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG