Lidhje

Papa rishfaqet pas problemeve me shëndetin, bën thirrje për paqe


Papa Françesku u rishfaq të premten pas shmangies së dy shërbesave të rëndësishme fetare me rastin e Vitit të Ri për shkak të dhimbjeve kronike të nervit shiatik. Gjatë një fjalimi ai nuk foli rreth problemeve të tij shëndetësore por u përqëndrua tek thirrja e tij tradicionale për paqe në botë. Papa nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në shërbesën e së enjtes në mbrëmje dhe atë të së premten në mëngjes për shkak të nervit shiatik.

Kjo shënon herën e parë, që kur u bë Papë në 2013 që Francesku, i cili mbushi 84 vjeç muajin e kaluar, nuk drejtoi një meshë për arsye shëndetësore.

Sidoqoftë, ai nuk shfaqi asnjë shenjë shqetësimi ndërsa mbajti një fjalim mesdite shoqëruar me lutje në bibliotekën e Pallatit Apostolik të Vatikanit.

"Jeta sot drejtohet nga lufta, armiqësitë e shumë gjëra që janë shkatërruese. Ne duam paqe dhe kjo është dhuratë", tha Papa Françesku, duke shtuar se reagimi ndaj krizës globale të koronavirusit tregoi rëndësinë e ndarjes së barrës mes vende.

"Ngjarjet e dhimbshme që shënuan udhëtimin e njerëzimit vitin e kaluar, veçanërisht pandemia, na mësuan se sa është e nevojshme të interesohemi për problemet e të tjerëve dhe të ndajmë shqetësimet e tyre", shtoi ai.

Bekimi i mesditës normalisht jepet nga një dritare me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit, por ai u zhvendos në ambiente të mbyllura për të parandaluar grumbullimin e besimtarëve si masë për të kufizuar përhapjen e virusit.

Papa foli me shumë shqetësim mbi situatën në Jemen, një vend i dëmtuar nga gjashtë vjet dhunë mes një koalicioni të udhëhequr nga sauditët dhe lëvizjes Houthi, të lidhur me Iranin. Të paktën 22 persona u vranë në një sulm në aeroportin e Adenit të mërkurën, i cili shkaktoi një cikël të ri sulmesh ajrore të koalicionit.

"Jam i hidhëruar e shqetësuar rreth përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës në Jemen, e cila po shkakton viktima të shumta të pafajshme", tha Papa Francesku. "Le të mendojmë për fëmijët e Jemenit, pa arsimim, pa ilaçe e të uritur", shtoi ai më tej.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG