Lidhje

Shqipëri, edhe dhjetori me rritje rastesh dhe vdekjesh nga COVID 19


Në Shqipëri, edhe muaji dhjetor u mbyll me një rritje të rasteve të reja me Koronavirus e po ashtu dhe të viktimave. Sipas të dhënave zyrtare, të përpunuara nga Zëri i Amerikës, deri në fund të muajit u rregjistruan 19.709 të prekur të rinj, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Krahasuar me muajin nëntor, janë 1897 raste më shumë ose një rritje prej 10.6 përqind. Mesatarja ditore e rasteve ishte 635 të infektuar, kundrejt mesatares prej 593 të prekurish në ditë gjatë muajit nëntor.

Gjatë dhjetorit, testimet u rritën me vetëm 9.4 përqind, duke kapur një mesatare prej 2.327 tamponësh në ditë, nga 2.197 që ishte në nëntor.

Ajo që bie në sy është se ritmi i shtimit të rasteve ka pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me muajt pararendës, kjo edhe për shkak të një ecurie jo të njëtrajtshme që u vu re gjatë këtij muaji.

Dhjetori në fakt, u karakterizua nga dy pamje të ndryshme. Në dy javët e para vijoi tendenca e përkeqësimit të situatës së vërejtuar që më parë, me mbi 11 mijë raste, dhe një mesatare pozitivitetit prej afro 33 përqind. Pozitiviteti (raporti mes numrit të testimeve dhe rasteve pozitive) është treguesi i transmetueshmërisë në komuniteti. Ky tregues ra ndjeshëm në gjysmën e dytë të muajit, sikundër dhe numri i rasteve të reja, duke bërë që mesatarja mujore të mbetej në nivelin e 27 përqindëshit, po aq sa ishte dhe në muajin nëntor.

Vetëm në dy muajt e fundit të vitit, totali i të infektuarve është gati 64 përqind e të gjithë rasteve të konfirmuara që nga nisja e pandemisë

Vdekjet në muajin Dhjetor ishin po ashtu më të larta, me një total prej 364 viktimash, 60 më shumë se një muaj më parë, ose + 19 përqind. Ashtu si dhe për rastet e reja, edhe humbjet e jetës, erdhën duke rënë, veçanërisht në gjysmën e dytë.

Përmirësimi i situatës, u pa dhe nga një rënie progresive e të shtruarve në spitale, e cila u bë më e dukshme në dy javët e fundit të dhjetorit, aq sa numri i tyre në ditët e fundit të vitit zbriti në kuotat e fundmuajit tetor.

Kjo tendencë u rregjistrua dhe në ditët e para të 2021-it. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri të shtunën pasdite, në spitalet që trajtojnë të sëmurët me shenja klinike, ishin 286 pacientë, nga të cilët 18 në terapi intensive, ndërsa 3 të tjerë të intubuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG