Lidhje

India miraton përdorimin e dy vaksinave kundër Covid-19


FILE - An employee in personal protective equipment (PPE) removes vials of AstraZeneca's COVISHIELD, COVID-19 vaccine from a visual inspection machine inside a lab at Serum Institute of India, Pune, Nov. 30, 2020.
FILE - An employee in personal protective equipment (PPE) removes vials of AstraZeneca's COVISHIELD, COVID-19 vaccine from a visual inspection machine inside a lab at Serum Institute of India, Pune, Nov. 30, 2020.

India miratoi përdorimin emergjent të dy vaksinave kundër COVID- 19, duke vendosur bazat për atë që mund të jetë programi më i madh në botë i vaksinimit. Siç njofton Anjana Pasricha nga Nju Deli, kjo rrit shpresat për vënien nën kontroll të pandemisë në vendin ku numri i përditshëm i infeksioneve të reja ka shënuar rënie në javët e fundit.

Dozat e para të vaksinës do të fillojnë të jepen këtë muaj në Indi pas autorizimit të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, që po prodhohet nga Instituti Serum i Indisë dhe një vaksine tjetër të quajtur Covaxin, e cila është zhvilluar nga kompania vendase, Bharat Biotech.

Kryeministri Narendra Modi e quajti këtë "një pikë kthese vendimtare në luftën" kundër pandemisë.

Vendi ka vendosur objektivin ambicioz të imunizimit të 300 milionë njerëzve deri në gusht, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, personelin e sigurimit, banorët mbi 50 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore.

India tashmë kishte filluar të përgatiste mjediset për ruajtjen në temperatura të ftohta të vaksinave dhe trajnimin e punonjësve shëndetësorë për të realizuar një nga programet më të mëdha të vaksinimit në botë.

“Përgatitjet janë bërë plotësisht, duke përfshirë anën logjistike në bashkëpunim me qeveritë e ndryshme të shteteve. Gjithçka varet sigurisht nga sasia e vaksinave në dispozicion dhe personeli shëndetësor”, thotë Srinath Reddy, president i Fondacioni të Shëndetit Publik të Indisë.

Sistemi i shpërndarjes u testua me një provë mbarëkombëtare të shtunën.

“Masat tona përgatitore janë të kënaqshme. Ne kemi një dhomë pritjeje, dhomën tonë të vaksinimit dhe zonën e monitorimit”, tha Arava Gopi Krishna, kryetar i Qarkut Qendror të Nju Delit.

India e fillon procesin e vaksinimit me një avantazh pasi më shumë se 50 milionë doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca janë siguruar nga Instituti Serum, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë.

Por janë ngritur shqetësime në lidhje me mungesën e të dhënave të duhura për vaksinën e zhvilluar në vend, e cila ende është në fazën e tretë të provave klinike.

Ekspertët shëndetësorë janë optimistë. Ata thonë se vaksinat do të sigurojnë mbrojtje edhe nga lloji shumë më ngjitës i koronavirusit i zbuluar në Britani. Rreth 30 raste me këtë lloj të ri të Covid-19 kanë shkaktuar shqetësime në një kohë kur numri i infeksioneve të reja ka shënuar rënie në Indi.

"Virusi nuk do të jetë në gjendje t'i shmanget anti-trupave të nxitur nga vaksina, kështu që nuk ka gjasa që të ketë ndonjë problem të rëndësishëm në lidhje me këtë çështje", thotë ekspertja e shëndetit, K. Srinath Reddy.

Vaksinat po sjellin shpresë në vendin ku virusi ka infektuar më shumë se 10 milionë njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e gati 150,000 njerëzve të tjerë. India, një vend me 1.3 miliardë banorë, ka numrin e dytë më të madh të rasteve me Covid-19 në botë.

“Vaksina ju mbron nga kjo sëmundje e rëndë dhe do të jetë shumë e rëndësishme për shpëtimin e jetës. Ajo do të jetë e rëndësishme edhe për të rinjtë e infektuar që nuk shfaqin simptoma, sepse tani ne e dimë se ata pësojnë dëmtime fillimisht të padukshme në mushkëri dhe zemër", thotë ekspertja e shëndetit, K. Srinath Reddy.

Të dyja vaksinat mund të ruhen në frigoriferë të zakonshëm dhe janë me kosto më të përballueshme krahasuar me ato të kompanive Pfizer dhe Moderna.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG