Lidhje

Gjermania shqyrton vonimin e shpërndarjes së dozës së dytë të vaksinës


Gjermania po shqyrton mundësinë nëse duhet të lejojë vonesa në shpërndarjen e dozës së dytë të vaksinës kundër COVID-19 të prodhuar nga kompanite Pfizer dhe BioNTeck në mënyrë që të përmbushen kërkesat e shumta ndërsa furnizimet janë të pakta, lëvizje kjo e ngjashme me atë të Britanisë javën që shkoi. Ndërkohë, dje Danimarka miratoi një afat kohor prejgjashtë javësh mes dy dozave të vaksinës.

Gjermania shqyrton vonimin e shpërndarjes së dozës së dytë të vaksinës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Ministria gjermane e Shëndetësisë po përpiqet të krijojë një komision të pavarur të vaksinimit për shqyrtimin e mundësisë së zgjatjes së afatit për marrjen e dozës së dytë përtej kufirit prej 42 ditësh. Kjo sipas një dokumenti që ka siguruar agjencia e lajmeve Reuters ditën e hënë.

Këto diskutime vijnë mes kritikave për ministrin e shëndetësisë, Jens Spahn, edhe nga vet aleatët e tij politikë, që thonë se Gjermania dështoi të sigurojë doza të mjaftueshme vaksinash dhe se u tregua vend i ngathët në realizimin e fushatës mbarëkombëtare të vaksinimit.

"Nëse të gjithë prodhuesve që po analizojmë u miratohen vaksinat atëherë 450 milionë banorët e Evropës do të siguronin me shpejtësi 2 miliardë doza. Ishte gjithmonë e qartë se kjo nuk do të ndodhte me fillim të janarit. Është bërë e qartë se kjo do të vijë ngadalë, hap pas hapi. Tani jemi në fazën e miratimi të një vaksinë tjetër”, tha Stefen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane.

Disa ekspertë shëndetësorë në Gjermani mirëpritën vendimin e Britanisë për vonimin e dozës së dytë të vaksinës, ndërsa qeveritë përpiqen të sigurojnë mbrojtje ndaj koronavirusit për sa më shumë njerëz, duke u dhënë atyre dozën e parë, por duke vonuar të dytën.

“Në funksion të mungesës aktuale të vaksinës dhe numrit të lartë të infeksioneve dhe shtrimeve në spital në Gjermani, një strategji ku më shumë njerëz vaksinohen sa më shpejt që është e mundur është më e efektshme”, tha Leif Erik Sander, kreu i ekipit hulumtues të vaksinave në spitalin Charite të Berlinit.

Sidoqoftë, prodhuesit BioNTech dhe Pfizer theksuan në një deklaratë të përbashkët se mungojnë provat për të mbështur vonimin e dozës së dytë.

“Siguria dhe efikasiteti i vaksinës nuk është vlerësuar në afate të ndryshe të shpërndarjes së dozave pasi shumica e pjesëmarrësve morën dozën e dytë brenda afatit të specifikuar në modelin e studimit” thanë kompanitë duke shtuar se nuk ka të dhëna që të dëshmojnë se doza e parë të ofron mbrojtje edhe pas 21 ditësh.

Agjencia Evropiane e Barnave tha se duhet të respektohet intervali maksimal prej 42 ditësh midis dozës së parë dhe të dytë të vaksinës së firmës Pfizer-BioNTech për të marrë mbrojtje të plotë.

Lëvizja e Britanisë për të vonuar shpërdnarjen e dozes së dytë të vaksinës BioNTech dhe Pfizer është mirëpritur nga disa ekspertë të shëndetit në Gjermani dhe vjen ndërsa qeveritë mundohen të sigurojnë mbrojtje kundër koronavirusit për sa më shumë njerëz duke u dhënë dozën e parë sa më shpejtë që është e mundur por duke e vonuar të dytën.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit Robert Koch, Gjermania ka vaksinuar rreth 239 mijë njerëz që nga fillimi i fushatës më 27 dhjetor, një shifër shumë larg 1.3 milionë dozave që i janë dërguar vendit nga fundi i vitit 2020.

Ndërsa në Danimarkë, vendi që të hënën miratoi afatin prej gjashtë javësh mes dy dozave, janë vaksinuar afër 47 mijë qytetarë.

Pritet që këtë javë Bashkimi Evropian të miratojë vaksinën e kompanisë Moderna.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG