Lidhje

Hetime penale mbi sulmin në Kongres


Acting US Attorney for Washington, DC, Michael Sherwin

Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë hapur një hetim penal mbi sulmin e së mërkurës në Kongres nga protestuesit që mbështesin presidentin Trump.

Prokurori në detyrë për Distriktin e Kolumbias, Michael Sherwin tha se 15 persona janë akuzuar në gjykatën federale të Uashingtonit, ndërsa 40 të tjerë u akuzuan në një gjykatë më të lartë.

Akuzat federale përfshijnë vjedhje të pronës qeveritare dhe shkelje të ligjit të armëve të zjarrit. Një person u arrestua pranë Kapitolit nën akuzat e mbajtjes së një arme gjysmë-automatike dhe 11 bombave Molotov që ishin "gati për veprim", tha prokurori Sherwin.

Prokurori Sherwin tha se arrestimet shënojnë fillimin e një përpjekje disa mujore për të sjellë autorët e krimeve para drejtësisë.

Ai tha se qindra hetues po analizojnë pamjet e regjistruara nga kamerat dhe pamjet e hedhura në mediat sociale për të identifikuar autorët.

I pyetur nëse prokurorët federalë po vlerësonin rolin e Trump-it në ngjarje, Sherwin tha, "Ne po shikojmë të gjithë aktorët dhe kushdo që ka patur rol dhe ku provat përshtaten me elementët e një krimi, do të akuzohet".

Shumë protestues lanë pas prova të krimit në formën e videove dhe fotografive të postuara në mediat sociale. Një mbështetës i QAnon-it u fotografua në dhomën e Senatit. Një tjetër mbështetës i Trump-it u fotografua në zyrën e Kryetares Nancy Pelosi.

Jordan Strauss, një ish-prokuror federal tha se videot dhe fotografitë ofrojnë "prova të bollshme". "Shumë njerëz i transmetuan drejtpërdrejt krimet e tyre ndërsa ishin duke i kryer ato," tha zoti Strauss.

Joel Hirschhorn, një avokat mbrojtës, tha se arrestimi dhe akuzimi i çdo protestuesi do të jetë praktikisht i pamundur.

"Kushdo që ishte brenda ndërtesës së Kapitolit është në rrezik sepse kjo ishte një shkelje e pronës qeveritare," tha zoti Hirschhorn. "A do të jenë ata në gjendje t’i ndjekin penalisht të gjithë? Kjo do të ishte e pamundur."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG