Shumë udhëheqës botërorë shprehën tronditje e ankth prej trazirave që përfshinë Uashingtonin të mërkurën, të cilat sollën si rezultat vdekjen e 5 personave si dhe dhjetra arrestime. Mbështetësit e Presidentit Donald Trump marshuan drejt Kapitolit pasi ai u bëri thirrje për protesta kundër fitores së rivalit të tij Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit. Gjykatat amerikane kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur pretendimet e zotit Trump për manipulim të rezultatit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell raporton nga Londra.
Aleatët evropianë të Amerikës ndoqën me shqetësim shpërthimin e dhunës në Kapitol ditën e mërkurë.
"Ajo që ndodhi sot në Uashington nuk është aspak Amerika", tha President francez, Emmanuel Macron.
"Kjo demokraci është më e fortë se sulmuesit dhe ata që shkaktojnë trazira", tha Kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në një postim në Twitter, Kryeministri britanik Boris Johnson e quajti dhunën "të turpshme". Ministrja e Brendshme britanike fajësoi për situatën Presidentin Donald Trump.
"Komentet e tij çuan drejtpërdrejt në dhunë. Deri më tani ai nuk ka arritur ta dënojë dhunën dhe kjo është plotësisht e gabuar", tha Priti Patel, Ministre e Brendshme e Britanisë.
Në një postim në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg shkruante; "Skena tronditëse në Uashington. Rezultati i zgjedhjeve demokratike duhet të respektohet".
Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara tha se "është e rëndësishme që udhëheqësit politikë të kenë ndikim tek ndjekësit e tyre dhe është e nevojshme të tregohet përmbajtje nga aktet e dhunës".
Udhëheqësi i Izraelit shprehu mbështetje për Amerikën, aleatin kryesor të vendit të tij.
"Demokracia amerikane gjithmonë më ka frymëzuar, paligjshmëria dhe dhuna janë e kundërta e vlerave për të cilat ne i njohim amerikanët e që izraelitët i ushqejnë", tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Kryeministri indian Narendra Modi shkruante në Twitter se "procesi demokratik nuk mund të lejohet të përmbyset përmes protestash të paligjshme".
Ndërkohë rivalët amerikanë e shfrytëzuan ngjarjen për të ironizuar Uashingtonin. Në një fjalim televiziv Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se kjo tregon "se sa e brishtë dhe e ndjeshme është demokracia perëndimore".
Në një deklaratë autoritetet në Venezuelë thanë se Shtetet e Bashkuara "po vuajnë të njëjtën gjë që u kanë shkaktuar vendeve të tjera me politikat e tyre të agresionit".
Kina u përpoq gjithashtu të shfrytëzojë ngjarjen në një tjetër drejtim.
“Media kryesore në Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar njëzëri këtë si një incident të dhunshëm, duke përdorur fjalë si banditë, ekstremistë, shkelës te ligjit e turp. Por çfarë fjalësh përdorën ata për të përshkruar protestuesit e dhunshëm në Hong Kong?! Ata thanë se ishte një pamje e bukur dhe i etiketuan protestuesit e dhunshëm si heronj të demokracisë dhe thanë se populli amerikan qëndron me ta”, tha Zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Hua Chunying.
Zëvendësi i ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyanskiy, e krahasoi dhunën me revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë. Në një postim në Twitter ai shkrunate: "Fotografi të stilit Maidan po vijnë nga Uashingtoni". (Maidan Nezalezhnosti është sheshi qendror i Kievit, kryeqyteti i Ukrainës).
Aleatët e SHBA-së ndanë dhimbjen me shumë amerikanë që shihnin dhunën të shpalosej në zemër të institucioneve të saj demokratike. Por shumë prej rivalëve të vendit po i përdorin ngjarjet si një mundësi për t'u hakmarrë.
Facebook Forum