Lidhje

Sulmi ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara


Dhuna nga turma e motivuar politikisht në kryeqytetin amerikan ka dërguar një valë tronditëse në mbarë vendin, ndërsa amerikanët përpiqen të kuptojnë sulmin ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe çfarë nënkupton kjo për të ardhmen e vendit.

Sulmi ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Duke shfletuar faqet e lajmeve në internet nga shtëpia e tij, Kent Redfiled, ish-punonjës i qeverisë së shtetit Illinoi dhe profesor në pension, nuk mund të besonte atë që po ndodhte në kryeqytetin amerikan më 6 janar.

“Ishte një sulm ndaj legjitimitetit dhe autoritetit të qeverisë dhe sundimit të ligjit. Ishte e pabesueshme dhe shumë e vështirë për t’u kuptuar.”

Mes rritjes së masave të sigurisë, aktivitetet në ndërtesën e Kongresit të Illinoit në qytetin Springfiled – ku Redfield dikur punonte, ishin krejt të qeta në ditët pas trazirave në kryeqytetin amerikan. Pasojat e sulmit e rritën ankthin e zotit Redfield.

“Një sulm i vërtetë terrorist mund të kishte gjymtuar qeverinë amerikane. Kur mendon gjëra të tilla dhe shikon pamjet nga ajo ditë në ndërtesën e Kongresit, graviteti i situatës të rëndon së tepërmi.”

Fermeri Wendell Shauman nga Kirkwood i Illinoit i ndoqi nga televizioni zhvillimet në ndërtesën e Kongresit amerikan.

“Nuk e besoj se e dimë historinë e plotë. Nëse ishin të gjithë mbështetës të zotit Trump që krijuan trazira ose nëse ishte dikush tjetër që shfrytëzoi mundësinë për të krijuar atë që ndodhi. Shpresoj që koha do të tregojë.”

Zhvillimet e fundit dhe roli i Presidentit Trump në to, përfshi refuzimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, kanë bërë që fermeri Shauman të rivlerësojë mbështetjen ndaj atij që e votoi në 2016 dhe 2020.

“Mbështetja ka rënë. Nuk mund të përjashtohet ajo që ka bërë gjatë katër viteve. Mendoj se vendi është më mirë. Ai nuk u largua me dinjitet”.

John Paul është shitës librash.

“Shqetësohem se po shkojmë drejt fundit të parimeve demokratike që i kemi kuptuar dhe marrë si të mirëqëna për pjesën më të madhe të jetës time.”

John Paul thotë se ka një vlerësim të thellë për historinë. Dyqani i tij i librave, “Praire Archives”, ndodhet pranë ndërtesës së vjetër të Kapitolit në Springfield, ku ish-Presidenti Abraham Lincold mbajti në vitin 1858 fjalimin e famshëm “House Divided” (Shtëpia e ndarë). Fjalimi i tij hulumtoi ndarjen e thellë të Amerikës lidhur me gabimet e skllavërisë para Luftës Civile të Shteteve të Bashkuara. Zoti Paul beson se Presidenti Lincoln do të hidhërohej nga përçarja politike aktuale në vendin për të cilin shumë njerëz dhanë jetën.

“Jam i bindur se ai do të tronditej jashtëzakonisht. Gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara, ne nuk kemi patur probleme të tilla,” thotë zoti John Paul.

Ai shpreson se një ndjenjë e unitetit kombëtar mund të rindizet nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden, i cili u shfaq para librarisë së tij kur ish-kandidati për president Barack Obama e prezantoi atë si kandidat për zëvendëspresident në vitin 2008. Paul thotë se gjatë 12 viteve shumë gjëra kanë ndryshuar. Ai shqetësohet mbi dëmin e bërë ndaj besueshmërisë së procesit zgjedhor dhe nëse zoti Biden mund të qeverisë në mënyrë efektive një komb të përçarë politikisht.

“Extremi i djathtë do të hedhë poshtë se zoti Biden është presidenti legjitim. Kjo do ta bëjë më të vështirë punën e tij për të bindur publikun se ai është legjitim, se po përpiqet të punojë në emër të tyre. Shpresojmë që gjërat të ndryshojnë.”

Shpresat e zotit Paul do të vihen në provë duke filluar më 20 janar, kur zoti Trump lë Shtëpinë e Bardhë dhe zoti Biden bën betimin për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG