Lidhje

Republikanë në Kongres mbështesin ngritjen e akuzave kundër presidentit


Liz Cheney, republikane nga Uajoming
Liz Cheney, republikane nga Uajoming

Republikanë me peshë në Kongres po shprehin mbështetje për procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump.

Gazeta New York Times njofton se udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell u tha ndihmësve të tij se beson që Presidenti Trump ka kryer akte që meritojnë ngritjen e akuzave. Gazeta citon individë të afërt me të.

Ndërkaq tre ligjvënës republikanë kanë bashkuar zërat me kolegët demokratë duke deklaruar se do të votojnë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump.

Liz Cheney, republikanja e tretë më e rëndësisishme në Dhomën e Përfaqësuesve, tha të martën përmes një deklarate se “Do të votoj për të ngritur akuza për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump”. Zonja Cheney nënvizon në deklaratë se presidenti “mblodhi turmën dhe ndezi flakën e sulmit” ndaj Kapitolit më 6 janar.

Liz Cheney, vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney, kryeson Konferencën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, struktura që zgjedh udhëheqësit republikanë në këtë dhomë.

Më herët të martën, ligjvënësi John Katko ishte shprehur se do të votonte për ngritjen e akuzave kundër presidentit për sulmin ndaj Kapitolit, duke u bërë republikani i parë që u bashkohej kolegëve demokratë në përpjekjet për të larguar presidentin nga posti.

Nënpresidenti Mike Pence përjashtoi mundësinë e përdorimit të Amendamentit të 25-të për heqjen e Presidentit Donald Trump nga detyra, më pak se një javë pasi Presidenti nxiti protestën e dhunshme në Kapitol.

Në një letër të martën vonë drejtuar Kryetares së Dhomës së Pëfaqësuesve Nancy Pelosi, Nënpresidenti Pence tha se "ky mekanizëm (Amandamenti i 25) nuk duhet të përdoret".

Nënpresidenit Pence inkurajoi Kongresin që të shmang veprimet që mund të çojnë në "përçarjen dhe ndezjen e mëtejshme të pasioneve të momentit" dhe të përqëndrohet në realizimin e një tranzicioni të qetë të pushtetit në administratën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan e kontrolluar nga demokratët votoi të martën mbi një rezolutë për t’i kërkuar Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit Donald Trump të përdorin autoritetin e tyre kushtetues për ta shkarkuar zotin Trump nga detyra.

"Presidenti përbën një kërcënim urgjent ndaj Kushtetutës, vendit dhe popullit amerikan dhe ai duhet të hiqet menjëherë nga detyra," tha Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi të hënën.

Presidenti Trump dhe nënpresidenti Pence u takuan të hënën vonë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që kur protestuesit pro-Trump sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se të dy ata "rikonfirmuan se ata që shkelën ligjin dhe sulmuan Kapitolin javën e kaluar nuk përfaqësojnë lëvizjen ‘Amerika para së gjithash’ të mbështetur nga 75 milionë Amerikanë dhe u zotuan të vazhdojnë punën në emër të vendit deri në fund të mandatit të tyre.

Zoti Pence shkaktoi zemërimin e presidentit Trump, kur refuzoi përpjekjet e presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, ku zoti Trump humbi ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuseve pritet që të mërkur të votojnë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit, të cilat pritet të votohen të mërkurën.

Edhe pse mandati katërvjeçar i zotit Trump përfundon në mesditën e 20 janarit, në rezolutën prej katër faqesh me akuzat për shkarkimin e tij, thuhet se ai ka "demonstruar se do të vazhdojë të mbetet një kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën, nëse lejohet të qëndrojë në detyrë dhe ka vepruar në një mënyrë tepër të papajtueshme me vetëqeverisjen dhe shtetin e së drejtës. "

Akuza me katër faqe përmend pretendimet e pabazuara të zotit Trump se ai u privua nga një mandat të dytë katër vjeçar për shkak të parregullsive të votimit dhe të numërimit të votave, presionin e tij ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për t’i "gjetur" atij më shumë se 11,000 vota për të kapërcyer epërsinë ndaj zotit Biden në këtë shtet dhe deklaratat e tij në një tubim të mërkurën e kaluar, ku u bëri thirrje mijëra mbështetësve të marshonin drejt Kapitolit për të bërë presion ndaj ligjvënësve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

218 demokratë e kanë nënshkruar rezolutën, duke siguruar shumicën në dhomën prej 435 anëtarësh.

Por është e paqartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do ta dërgojnë menjëherë rezolutën në Senat i cili në një proces shkarkimi luan roli e gjykatës që merr vendimin nëse zoti Trump do të dënohet dhe do të hiqet nga detyra, duke pasur parasysh se mandati i tij mbaron javën e ardhshme.

Presidenti i zgjedhur Biden tha se ai shpreson që Senati të mund të zhvillojë njëkohësisht një gjyq ndaj zotit Trump dhe të konfirmojë emërimet për Kabinetin e tij, pasi ai të marrë detyrën, si edhe të miratojë më shumë ndihmë për ekonominë amerikane të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ai tha të hënën lidhur me protestuesit, "se është shumë e rëndësishme që të ketë një përpjekje serioze në vënien para përgjegjësisë të atyre njerëzve që u përfshinë në dhunë dhe shkaktuan dëme të mëdha, duke kërcënuar jetë dhe duke shkatërruar prona publike".

Zoti Biden u tha gjithashtu gazetarëve se “nuk kam frikë ta bëj betimin jashtë," duke iu referuar ceremonisë së betimit të javës së ardhshme, e cila tradicionalisht zhvillohet në anën perëndimore të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, e cila u sulmua gjatë akteve të dhunshme.

Edhe nëse një vendim i Senatit për fajësimin e Presidentit Trump jepet pasi të ketë përfunduar mandati i tij, kjo mund të nënkuptonte se ai nuk do të lejohen të mbante më një post në qeverinë federale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG