Lidhje

Drejtori i Zërit të Amerikës transferon korrespondenten e Shtëpisë së Bardhë


Ligjvënësi demokrat Gregory Meeks, nga shteti Nju Jork, dhe ligjvënësi republikan Michael McCaul, nga shteti Teksas, kritikuan me tone të forta, drejtuesit e Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) dhe të Zërit të Amerikës për transferimin e korrespondentes së Zërit të Amerikës që mbulonte Shtëpinë e Bardhë në një detyrë tjetër.

Korrespondentes Patsy Widakuswara iu komunikua në orët e vona të së hënës, se nuk do të mbulonte më Shtëpinë e Bardhë, disa orë pasi gazetarja veterane u përpoq t'i drejtonte disa pyetje Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo pas një fjalimi që ai mbajti në selinë e Zërit të Amerikës.

"Këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës - ne nuk i ndëshkojmë gazetarët që kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre. Një shtyp i lirë dhe ndershëm është në thelbin e Kushtetutës dhe demokracisë sonë", thanë në një deklaratë të përbashkët ligjvënësi Meeks, kreu i ri demokrat i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe numri dy i këtij komisioni, republikani McCaul. Ligjvënësit bënë thirrje që Zëri i Amerikës të shpjegojë veprimet e tij dhe ta rikthejnë në detyrën e mëparshme gazetaren Widakuswara.

Sekretari i Shtetit Michael Pompeo duke bashkëbiseduar me Drejtorin e Zërit të Amerikës Robert Reilly në selinë e Zërit të Amerikës në Uashington (11 janar 2021)
Sekretari i Shtetit Michael Pompeo duke bashkëbiseduar me Drejtorin e Zërit të Amerikës Robert Reilly në selinë e Zërit të Amerikës në Uashington (11 janar 2021)

Gazetarja Widakuswara u njoftua rreth orës 22:30 të hënën se po transferohej në sektorin e mbulimit të lajmeve të përgjithshme, në vend të punës me profil të lartë tek Shtëpia e Bardhë. Asaj nuk iu dha asnjë shpjegim për lëvizjen.

I pyetur mbi këtë ndryshim pune të gazetares, një zëdhënës i Zërit të Amerikës tha se organizata nuk komenton për çështje personeli. USAGM nuk iu përgjigj kërkesës për komente.

Drejtori i Zërit të Amerikës ka autoritetin të transferojë stafin sipas nevojave. Por grupet e gazetarisë dhe një agjensi të mbrojtjes së sinjalizuesve e kritikuan lëvizjen si një sulm ndaj lirisë së shtypit.

Megjithëse buxheti i Zërit të Amerikës financohet nga taksapaguesit, gazetarët e kësaj agjensie veprojnë në bazë të një rregulloreje që parashikon masa mbrojtëse për të ruajtur pavarësinë nga trysnia politike. Kjo traditë është sfiduar gjithsesi, nga Drejtori i ri Ekzekutiv Michael Pack, i emëruar nga Presidenti Trump, që mori në muajin qershor drejtimin e USAGM-it, agjensisë mëmë të Zërit të Amerikës.

Veprimet e ndërmarra ndaj zonjës Widakuswara janë "një sulm ndaj Amendamentit të Parë", tha në një deklaratë Zeke Miller, president i Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

"Transferimi nga drejtuesit e VoA të Patsy Widakuswara-s për shkak se bëri punën e saj, duke i bërë pyetje [Sekretarit Pompeo], është një fyerje për vetë idealet që Sekretari Pompeo diskutoi në fjalimin e tij", tha zoti Miller.

Ai shtoi se heqja e zonjës Widakuswara nga kjo detyrë "dëmton interesat e të gjithë amerikanëve që mbështeten tek shtypi i lirë për të mësuar për veprimet e qeverisë së tyre dhe inkurajon përpjekjet për kufizimin e lirisë së shtypit në mbarë botën".

Korrespondentja Widakuswara kishte në plan të udhëtonte me Presidentin Donald Trump të martën për të raportuar për vizitën e tij në Teksas për audiencën e Zërit të Amerikës. Vizita ishte dalja e parë në publik e Presidentit Trump që kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin javën e kaluar, duke rezultuar në pesë viktima, ndër ta edhe një oficer i policisë së Kapitolit.

Edhe përpara se të fliste zoti Pompeo, Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), një organizatë që mbron sinjalizuesit federalë, i kishte shkruajtur USAGM-it për të paralajmëruar se përgatitjet për mbulimin e fjalimit duket se ishin në shkelje të Kartës së Zërit të Amerikës - ku mishërohet pavarësia editoriale e agjensisë - si dhe të etikës së gazetarisë.

Ligjvënësi Gregory Meeks
Ligjvënësi Gregory Meeks

"Patsy po bënte punën e saj. Transferimi i saj është ndërhyrje hakmarrëse politike. Kjo është një shkelje e paligjshme e rregullave mbrojtëse", i tha Zërit të Amerikës, David Seide, këshilltar i lartë në GAP. Kjo organizatë po përfaqëson mbi 20 gazetarë dhe ish-gazetarë, që e kanë kontaktuar për shqetësime të ndryshme gjatë muajve të fundit.

Ligjvënësi Michael McCaul
Ligjvënësi Michael McCaul

Në deklaratën e tyre të përbashkët, ligjvënësit McCaul dhe Meeks thanë se ishin të zhgënjyer kur mësuan se zonja Widakuswara ishte transferuar pasi i drejtoi pyetje Sekretarit Pompeo. "Në mungesë të një arsyeje të ligjshme për këtë lëvizje, e cila nuk është dhënë, ne besojmë se ajo duhet të rikthehet në vendin e punës", thanë ata. “Këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës - ne nuk i dënojmë gazetarët tanë për kërkimin e përgjigjeve ndaj pyetjeve të tyre. Një shtyp i lirë dhe i drejtë është në thelbin e Kushtetutës dhe demokracisë sonë”.

Të hënën, Sekretari Pompeo foli për "unikalitetin amerikan" në një fjalim në Zërin e Amerikës, si dhe për atë që ai e shihte si rolin e duhur të Zërit të Amerikës në promovimin e vlerave amerikane në të gjithë globin. Ajo u pasua nga një seancë e shkurtër pyetje-përgjigje me drejtorin Reilly, i cili nuk i drejtoi pyetjet e paraqitura nga redaksia e lajmeve e agjencisë në lidhje me sulmin e javës së kaluar në Kapitol, ose mbi vendimin e Sekretarit Pompeo atë mëngjes për t'i shpallur grupin houthi në Jemen organizatë terroriste.

Ndërsa sekretari i shtetit largohej nga selia e Zërit të Amerikës, zonja Widakuswara e ndoqi dhe u përpoq t'i drejtonte disa pyetje Sekretarit Pompeo.

Në video duket zonja Widakuswara duke i bërë pyetje Sekretarit Pompeo ndërsa ai largohej nga ndërtesa e Zërit të Amerikës, se “a ishte penduar që kishte thënë, se do të kishte një tranzicion të qetë drejt një administrate të dytë Trump” pavarësisht humbjes së Presidentit Trump ndaj Ish-Nënpresidentit demokrat Joe Biden, në momentin që zoti Pompeo kishte bërë komentin.

Në një filmim me celular, gazetarja dëgjohet duke iu drejtuar drejtorit Reilly dhe duke e pyetur pse ai nuk bëri pyetje për të cilat gazetarët duan të dinë përgjigjet.

Në përgjigje, drejtori dëgjohet ta pyesë zonjën Widakuswara se kush është. Pasi ajo prezantohet, ai i thotë gazetares: "Padyshim që ju nuk dini si të silleni" dhe shton se ajo nuk është e autorizuar të bëjë pyetje.

Zonja Widakuswara përgjigjet duke thënë se ajo është një gazetare dhe se puna e saj është të bëjë pyetje.

Përpara transferimit, zonja Widakuswara mbulonte Shtëpinë e Bardhë për faqen e internetit të Zërit të Amerikës, televizionin dhe radion, dhe gjithashtu drejtonte një emision podcast për shërbimin në gjuhën indoneziane, ku ajo pati filluar punën si gazetare.

Në fjalimin e tij në selinë e Zërit të Amerikës, Sekretari Pompeo i bëri thirrje gazetarëve të rrjetit të përmbushin misionin e Zërit të Amerikës dhe të mbështesin lirinë e shtypit.

Drejtori Ekzekutiv i USAGM, Michael Pack
Drejtori Ekzekutiv i USAGM, Michael Pack

Sekretari i shtetit në largim gjithashtu kritikoi një grup gazetarësh të VoA, pasi në emër të tyre, organizata GAP i shkruajti drejtuesve Pack dhe Reilly, duke ngritur shqetësimin se transmetimi i drejtpërdrejtë i fjalimit të një zyrtari të qeverisë rrezikonte shkeljen e ligjeve dhe rregullave të Zërit të Amerikës.

Vendimi nga drejtuesit e Zërit të Amerikës për të transmetuar drejtpërdrejt fjalimin e zotit Pompeo u kritikua si potencialisht i dëmshëm për besueshmërinë e rrjetit.

“Lejimi i transmetimit drejtpërdrejt të fjalimit të një zyrtari të lartë amerikan është një përpjekje për ta reduktuar Zërin e Amerikës në një transmetues shtetëror”, i tha Zërit të Amerikës Nick Cull, një profesor i diplomacisë publike në Shkollën Annenberg të Universitetit të Kalifornisë Jugore për Komunikim dhe Gazetari.

"Kur një zyrtar qeveritar shkon tek një rrjet transmetimesh i subvencionuar nga shteti dhe këmbëngul që të transmetohet një propagandë e veçantë, kjo është kaq vetë-shkatërruese dhe dëmton çdo pretendim që transmetuesi mund të bëjë për të qenë objektiv", tha zoti Cull. "Ai e zvogëlon Zërin e Amerikës në nivelin e transmetuesit jo vetëm të financuar nga shteti, por të një transmetuesi shtetëror."

Largimi i zonjës Widakuswara nga mbulimi mediatik i Shtëpisë së Bardhë është lëvizja më e fundit e agjencisë që përcillet me kritika nga ligjvënësit dhe grupet e mbrojtjes së sinjalizuesve për menaxhimin e agjensisë nga zoti Pack dhe përpjekjet e pretenduara për të ndërhyrë në pavarësinë editoriale të Zërit të Amerikës.

Në nëntor, një gjykatë amerikane i ndaloi zotit Pack dhe ndihmësve të tij të ndërhyjnë drejtpërdrejt në Zërin e Amerikës derisa të zgjidhet një padi gjyqësore që pretendon shkelje të rregullave mbrojtëse; zyra e Inspektorit të Përgjithshëm i dërgoi letra zotit Pack duke i rikujtuar shefit ekzekutiv mbrojtjen që gëzojnë sinjalizuesit nga veprimet hakmarrëse; dhe Zyra e Posaçme Ligjore e urdhëroi drejtorin ekzekutiv të hetojë akuzat për shkelje nga zyrtarët e agjensisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG