Lidhje

Vaksinimi në SHBA përballë një sërë sfidash 


Shtetet e Bashkuara, të përballura kohët e fundit me një shtim të vdekjeve nga COVID-19, kanë nxjerrë për përdorim të gjitha dozat e vaksinave të disponueshme dhe kanë udhëzuar shtetet individuale të fillojnë menjëherë vaksinimin e personave mbi 65 vjeç si dhe të individëve me probleme ekzistuese shëndetësore.

Kjo është një ndër pikat kryesore të vaksinimit në Manhatan të Nju Jorkut. Ky objekt mund të vaksinojë 10,000 vetë çdo 12 orë. Por si rezultat i numrit të kufizuar të vaksinave që merr Nju Jorku, nuk ka sasi të mjaftueshme për të operuar me kapacitet të plotë.

Howard Zucker, Departamenti i Shëndetësisë i Nju Jorkut

“Na duhen më shumë vaksina. Këtë periudhë e konsiderojmë një mobilizim si në kohë lufte dhe në çdo minutë ka jetë në rrezik,” thotë Howard Zucker, zyrtar i shëndetësisë në Nju Jork.

Në shtete si Pensilvania dhe Nju Xhërsi, ritmet e vaksinimeve ende nuk po ecin me të njëjtën shpejtësi me furnizimet që marrin këto shtete.

Departamenti i Mbrojtjes tha se mbi 29 milionë doza vaksine janë shpërndarë në shkallë vendi. Por sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri të martën ishin bërë vetëm 9 milionë vaksina.

Dr. Graham Snyder, Qendra Mjekësore e Universitetit të Pitsburgut

"Duhet personel për të bërë vaksinat. Duhet një vend ku të vijnë njerëzit për t’u vaksinuar. Duhet të krijosh infrastrukturën elektronike ku njerëzit të caktojnë orarin e imunizimit dhe të komunikojnë me qendrën mjekësore. Duhet të përgatitësh personelin mbi personat që duhet dhe ata që nuk duhet të vaksinohen, çfarë efektesh anësore mund të japë vaksina dhe si t’i mbash simptomat nën kontroll. Deri tani kemi krijuar disa modele për këtë proces,” thotë Dr. Graham Snyder me Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut.

Në fillim të javës, qeveria federale tha se do të shpërndajë të gjitha dozat e disponueshme të vaksinës, në vend që të mbajë gjysmën e dozave për raundin e dytë të vaksinimit. Po ashtu nxori edhe udhëzime të reja mbi ata që do të vaksinohen.

"U kemi thënë shteteve se mund të hapin vaksinimet për të gjithë personat mbi 65-vjeç, po ashtu për ata nën 65 që kanë probleme shëndetësore,” tha Sekretari i Shëndetësisë, Alex Azar.

Presidenti i Zgjedhur Joe Biden është zotuar se brenda 100 ditëve të para të administratës së tij do të bëhen 100 milionë vaksina.

Ai theksoi parimin e proporcionalitetit në shpërndarjen e vaksinave, sidomos ndër të varfërit dhe pakicat, të cilët punojnë në profesione me rrezik më të lartë si në dyqane apo në transportin publik. Por deri tani nuk ka të dhëna mbi shpërndarjen demografike të vaksinave.

“Nëse mungojnë të dhënat, është sikur të ecësh me sy mbyllur. Nga ato që na ka mësuar historia e këtij vendi, nëse nuk bën përpjekje specifike për të shënjestruar popullatat më të rrezikuara, atëherë ata përjashtohen,” tha Taison Bell me Universitetin e Virxhinias.

Të martën, Shtetet e Bashkuara raportuan numrin më të lartë të vdekjeve brenda një dite kur u regjistruan 4,327 viktima sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.

Afro 385,000 amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi, ndërkohë janë diagnostikuar mbi 23 milionë të infektuar në shkallë vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG