Lidhje

Klima, koronavirusi e muri kufitar mes urdhrave ekzekutivë të Presidentit Biden


Të mërkurën Presidenti Joe Biden nënshkroi një seri urdhrash ekzekutivë dhe ndërmori një seri veprimesh të tjera të cilat synojnë të menaxhojnë krizën e koronavirusit dhe të zhbëjnë një numër politikash të miratuara gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump.

"Nuk ka ditë më të mirë për të nisur sesa sot", u tha Presidenti Biden gazetarëve gjatë nënshkrimit të vendimeve, disa orë pas inaugurimit të tij.

Presidenti Biden i dha fund një urdhri që ndalonte të udhëtimet nga disa vende me shumicë myslimane, ndërmori veprime që agjencitë federale t'i japin përparësi barazisë racore, ndaloi ndërtimin e murit përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, anuloi lejen për ndërtimin e gazsjellësit Keystone XL, ndryshoi një urdhër të administratës Trump që pengonte pjesmarrjen në procesin e regjistrimit të popullsisë së emigrantëve pa dokumente si dhe zgjeroi mbrojtjen ndaj diskriminimit bazuar në identitetin gjinor ose orientimin seksual.

Presidenti Biden nënshkroi gjithashtu direktiva duke bërë të ditur qëllimin e SHBA-së për t'u bërë sërish pjesë e Marrëveshjes së Parisit mbi Klimën si dhe ndërmori një vendim që ndalon tërheqjen e vendit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Lidhur me koronavirusin Presidenti Biden zgjati një moratorium të qeverisë federale që ndalon dëbimet në rast mos pagese të qirasë apo kredisë së shtëpisë, bëri të detyrueshme mbajtjen e maskave në godinat federale dhe krijoi një zyrë të re e cila do të koordinojë reagimin kombëtar ndaj virusit që ka shkaktuar më shumë se 400 mijë viktima në vend prej fillimit të pandemisë.

Ndihmësit e administratës thanë se Presidenti Biden do të ndërmarrë me dhjetra masa të tjera në 10 ditët e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG