Lidhje

Amsterdam, policia ndalon protestuesit kundër kufizimeve për koronavirusin


Policia holandeze përdori pompat e ujit, qentë dhe kuajt për të shpërndarë një protestë në Amsterdam kundër kufizimeve për koronavirusin ndërsa arrestoi më shumë se 100 njerëz.

Demonstrata në Sheshin e Muzet, e cila u zhvillua në shkelje të urdhrave për ndalimin e tubimeve publike, vjen një ditë pasi qeveria vuri në zbatim orën policore gjatë natës, hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Protestuesit, të organizuar pjesërisht nga pronarët e restoranteve të zemëruar me masat kufizuese që vazhdojnë prej një kohd të gjatë, mbanin një banderolë ku shkruhej "Ndal bllokimeve”.

Nga frika e trazirave apo e një episodi që mund të shkaktonte përhapje të mëtejshme të virusit, Kryetarja e Bashkisë Femke Halsema e kishte shpallur sheshin si "zonë me rrezik të lartë" duke i dhënë policisë kompetencën për të kontrolluar njerëzit për armë.

Policia spastroi sheshin pasi njerëzit nuk përfillën udhëzimet për t'u larguar dhe ndaloi personat që e sulmuan me gurë dhe fishekzjarre në rrugët përreth, tha zyra e kryetares së bashkisë.

Parlamenti votoi javën e kaluar për të miratuar orën policore, e ndikuar nga pohimet se një variant i COVID-19 i identifikuar për herë të parë në Britani mund të shkaktonte shtimin e infektimeve.

Infeksionet e reja në vend kanë qenë në rënie prej një muaji dhe ranë përsëri të dielën, në 4,924 raste të reja.

Të shtunën në mbrëmje, policia arrestoi 25 persona në të gjithë vendin dhe dha 3,600 gjoba për shkeljet e orës policore.

Policia tha se ata që u arrestuan kishin refuzuar të shkonin në shtëpi ose kishin kryer akte dhune.

Përjashtimet nga ora policore, e cila zgjat deri më 9 shkurt, përfshijnë urgjencat mjekësore, njerëzit që kryejnë punë të domosdoshme dhe ata që shetisin qentë. Shkelësit mund të gjobiten me 95 euro.

Hollanda, me 18 milion banorë, ishte vendi i fundit në Bashkimin Evropian që filloi vaksinimet dhe deri më tani ka imunizuar gjithsej 77,000 mjekë dhe infermierë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG