Lidhje

Biden: Koha për të vënë në vend drejtësinë racore


Për të përmbushur premtimin e fushatës se do ta bënte luftën kundër padrejtësisë racore një përparësi të presidencës së tij, Presidenti Joe Biden nënshkroi të martën një numër urdhrash ekzekutivë:

"Gjatë fushatës e bëra të qartë se kishte ardhur koha për vendin tonë. Ne kemi përballë padrejtësi të thella racore në sistemin amerikan, racizëm sistematik që ka rënduar mbi këtë vend për një kohë tepër të gjatë. E kam thënë se gjatë vitit të kaluar njerëzve iu hapën sytë. Shumë amerikanë nuk mund të injoronin më atë që nuk kishin pranuar ta shihnin më parë. Ato 8 minuta e 46 sekonda që i morën jetën George Floyd-it (afrikano-amerikani që vdiq gjatë arrestit në Mineapolis) u hapën sytë miliona amerikanëve dhe njerëzve në mbarë botën. Unë mendoj se shënuan një pikë kthese në qëndrimin e këtij vendi ndaj drejtësisë racore”.

Tani është koha për veprim, tha presidenti para se të nënshkruante urdhrat ekzekutivë.

Gjatë fushatës dhe periudhës së tranzicionit, zoti Biden premtoi se administrata e tij do t’i kishte në vëmendje problemet e pabarazisë racore si dhe ndryshimet klimatike gjatë formulimit të të gjitha politikave.

Në ditët e para të presidencës së tij, zoti Biden ka nxjerrë një numër urdhrash ekzekutivë dhe direktivash në përgjigje të pandemisë si dhe për të zhbërë dhe anuluar nisma të pararendësit të tij, Donald Trump.

Presidenti Biden urdhëroi Departamentin e Drejtësisë të ndalë përdorimin e burgjeve private dhe pranoi se qeveria ka luajtur rol qendror në zbatimin e politikave diskriminuese në strehim.

Në bazë të urdhrit ekzekutiv, Prokurori i Përgjithshëm nuk do të zgjasë kontratat e Departamentit të Drejtësisë me burgje private. Me këtë masë, Departamenti i Drejtësisë rikthehet në qëndrimin që mbante gjatë administratës Obama.

Presidenti ka udhëzuar Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban të marrë masa për të nxitur proporcionalitet në politikat e strehimit.

Urdhrat e reja riafirmojnë angazhimin e qeverisë federale për të respektuar sovranitetin e fiseve indigjene si dhe për të luftuar diskriminimin e aziatiko-amerikanëve lidhur me pandeminë.

Ky urdhër shenjestron ksenofobinë kundër aziatiko-amerikanëve, e cila në një masë të madhe, sipas një zyrtari të lartë të administratës, është reagim ndaj retorikës “ofenduese dhe të rrezikshme” të administratës Trump dhe që Presidenti Biden mendon se duhet adresuar. Gjatë pandemisë, ish-Presidenti Trump përdori në disa raste terma ksenofobe në komente publike në lidhje me koronavirusin.

"Kanë kaluar disa javë që kur Amerika pa se si një grup banditësh, një grup rebelësh, ekstremistësh politikë, supremacistësh të bardhë sulmuan me dhunë selinë e demokracisë sonë. Tani është koha të veprojmë sepse e kërkojnë prej nesh besimi dhe moraliteti ynë,” tha Presidenti Biden.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG