Lidhje

Blinken favorizon bashkëpunimin me Kinën


Newly confirmed Secretary of State Antony Blinken addresses a welcome ceremony at the State Department, Wednesday, Jan. 27, 2021 in Washington.
Newly confirmed Secretary of State Antony Blinken addresses a welcome ceremony at the State Department, Wednesday, Jan. 27, 2021 in Washington.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën, ditën e tij të parë të plotë në detyrë, se ai favorizon bashkëpunimin me Kinën mbi ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, edhe pse ritheksoi se ishte kryer gjenocid kundër myslimanëve ujgurë në rajonin Xinjiang të Kinës.

Marrëdhënia SHBA-Kinë është "padyshim marrëdhënia më e rëndësishme që kemi në botë", u tha ai gazetarëve.

"Gjithnjë e më shumë, kjo marrëdhënie ka disa aspekte kundërthënëse. Ajo ka gjithashtu aspekte konkurruese. Dhe aspekte bashkëpunimi," tha ai, duke shtuar se lufta me ndryshimet klimatike ishte në interes të të dy vendeve.

Sekretari Blinken u pyet se si do të ishte e mundur të bashkëpunonte me Kinën pasi paraardhësi i tij, ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, tha javën e kaluar se Kina kishte kryer gjenocid ndaj myslimanëve në Xinjiang. Blinken e mbështeti këtë vlerësim në seancën e tij të konfirmimit javën e kaluar.

"Në gjykimin tim është kryer gjenocid kundër ujgurëve dhe kjo nuk ka ndryshuar," tha Blinken të mërkurën kur u pyet rreth komenteve të bëra më parë gjatë ditës nga e emëruara e Presidentit Joe Biden për në postin e ambasadores amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e Departamenti i Shtetit ishte duke rishikuar përcaktimin "sepse nuk ishin ndjekur të gjitha procedurat ".

"Unë në të vërtetë nuk kam parë çfarë tha ambasadorja Thomas-Greenfield, kështu që nuk mund të komentoj lidhur me këtë," tha sekretari Blinken.

Sekretari Blinken u përshëndet në Departamentin e Shtetit në mëngjes nga punonjësit me maska që mbanin distancën e tyre si masë paraprake ndaj koronavirusit.

Duke iu drejtuar atyre, ai premtoi të riparojë lidhjet me partnerët globalë dhe ti tregojë botës se Amerika mund të drejtojë, duke shtuar se nga bisedat që ai kishte patur dukej qartë se ka një "dëshirë shumë, shumë të madhe që Shtetet e Bashkuara të kthehen në rolin drejtues".

Politika e ish Presidentit Donald Trump "Amerika e para" tronditi aleancat tradicionale të Uashingtonit ndërsa sulmi i 6 janarit nga një turmë pro-Trumpit dëmtoi më tej pozitën globale të Amerikës.

Administrata Biden ka premtuar një qasje të ashpër për të "konkurruar" me Kinën, por mbështetësit e një politike të ashpër ndaj Pekinit kanë ngritur shqetësime se administrata amerikane mund të detyrohet të bëjë kompromis për të arritur përparim në çështje të tilla si klima dhe Koreja e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG