Lidhje

Policia e Kapitolit forcon masat e sigurisë për anëtarët e Kongresit


Policia e Kapitolit po shton masat e sigurisë në pikat e transportit në zonën e Uashingtonit dhe po ndërmerr hapa të tjerë për të mbrojtur ligjvënësit që udhëtojnë, ndërsa Kongresi vazhdon të reagojë ndaj sulmit vdekjeprurës të këtij muaji ndaj Kapitolit.

Policia e Kapitolit do të vendosë forca rendi në aeroportet e zonës dhe në stacionin e trenit të Uashingtonit. në ditët e ngarkuara të udhëtimit, shkruante në një email që e siguroi Associated Press, zyrtari kryesor i rendit i Dhomës së Përfaqësuesve, Timothy P. Blodgett.

Ai shkruante se zyrtarët po krijonin një portal në internet që ligjvënësit të mund t'i njoftonin për planet e udhëtimit dhe u kërkoi ligjvënësve të raportonin çdo lloj kërcënimi apo veprimtari të dyshimtë.

"Anëtarët e Kongresit dhe personeli i tyre duhet të qëndrojnë vigjilentë ndaj ambjentit rreth tyre dhe menjëherë të raportojnë çdo gjë të pazakontë ose të dyshimtë," thuhej në email-in e dërguar të enjten vonë.

Zoti Blodgett tha se ligjvënësit janë këshilluar më parë se ata mund të përdorin llogari bankare të zyrës për të paguar për sigurinë e mbrojtjes së zyrave dhe aktivitetet në zonat e tyre, si edhe për vetëmbrojtjen gjatë kryerjes së detyrimeve zyrtare.

Ai përmendte gjithashtu një përcaktim të Komisionit Federal të Zgjedhjeve të vitit 2017 se ata mund të përdorin kontributet e fushatave për të instaluar sisteme sigurie në shtëpitë e tyre.

Presidenti Joe Biden është në "kontakt të ngushtë" me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në lidhje me sigurinë e kongresit, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Zonja Pelosi u tha gazetarëve të enjten se ligjvënësit përballen me kërcënime për dhunë nga një "armik" brenda Kongresit dhe tha se do të duheshin fonde për të përmirësuar masat e sigurisë.

Komentet e zonjës Pelosi ishin një pohim tronditës i përshkallëzimit të tensioneve të brendshme midis dy palëve për sigurinë që nga sulmi ndaj Kapitolit më 6 Janar nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump.

Po të enjten, shefi i përkohshëm i Policisë së Kapitolit tha se "përmirësime të mëdha" janë të nevojshme për të mbrojtur Kapitolin dhe ndërtesat përreth të Kongresit, përfshirë gardhe të përhershme.

Barrikada të tilla kanë rrethuar kompleksin që prej trazirave vdekjeprurëse të 6 janarit, por shumë ligjvënës kanë rezistuar deri tani që t’i japin simbolit të demokracisë në vend pamjen e një kompleksi të rrethuar.

Zonja Pelosi u përqendrua në komentet e saj tek stresi dhe fërkimet partiake që kanë vazhduar në Kongres që nga sulmi i mbështetësve të zotit Trump ndaj Kapitolit, që shkaktoi 5 vdekje.

Ajo u tha gazetarëve se mendon se Kongresi do të duhet të sigurojë fonde "për më shumë siguri për anëtarët, kur armiku është brenda Dhomës së Përfaqësuesve, një kërcënim që i shqetëson anëtarët."

E pyetur se çfarë donte të thoshte, zonja Pelosi tha se "kjo do të thotë se kemi anëtarë të Kongresit që duan të sjellin armë në sallë dhe kanë kërcënuar me dhunë ndaj anëtarëve të tjerë të Kongresit. "

Disa ligjvënës që votuan pro ngritjes së akuzave për shkarkimin e zotit Trump këtë muaj, kanë raportuar se kanë marrë kërcënime dhe hapat e para për të shtuar procedurat e sigurisë, kanë marrë tone të qarta partiake.

Disa republikanë kanë kundërshtuar me forcë që të kalojnë nëpër detektorë metali të instaluar së fundmi para se të hyjnë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa zonja Pelosi ka propozuar gjobitjen e ligjvënësve që shmangin pajisjet.

Zonja Pelosi nuk tha se kë kishte parasysh kur fliste për "armikun" e brendshëm dhe një zëdhënës nuk dha shembuj konkretë.

Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve që po shërben në mandatin e saj të parë, Marjorie Taylor Greene nga Xhorxhia, e cila ka shprehur mbështetje për teoritë e konspiracionit të QAnon, ka pëlqyer postime në Facebook që flasin për dhunë kundër demokratëve dhe FBI-së.

Një nga postimet sugjeronte që zonja Pelosi të qëllohej me armë në kokë. Kur iu dërgua një kërkesë për koment, zonja Greene u përgjigj përmes një deklarate me shkrim ku akuzoheshin demokratët dhe gazetarët se e sulmonin pasi përbën "një kërcënim ndaj synimit të tyre për socializën" dhe mbështet zotin Trump dhe vlerat konservatore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG