Lidhje

Trump emëron avokatë të rinj disa ditë para gjyqit në Senat


Ish-Presidenti Donald Trump njoftoi të dielën një ekip të ri avokatësh të cilët do të udhëheqin mbrojtjen e tij në procesin e dytë gjyqësor në Senat që nis më 9 shkurt.

Ai pritet të përfaqësohet nga avokati David Schoen, i cili shfaqet shpesh në televizor si komentues ligjor dhe Bruce Castor, një ish-prokuror i qarkut të Pensilvanisë, i cili është përballur me kritika lidhur me vendimin e tij për të mos akuzuar aktorin Bill Cosby në një rast që lidhet me krime seksuale.

Në një deklaratë të lëshuar përmes zyrës së zotit Trump, të dy avokatët thanë të dielën se ndiheshin të nderuar që kishin marrë këtë detyrë.

Fuqia e Kushtetutës sonë do të vihet në provë si kurrë më parë në historinë e vendit. Ajo është e fortë dhe elastike. Një dokument i shkruar që i ka rezistuar kohës e që do të triumfojë sërish e gjithmonë mbi njëashmërinë", tha zoti Castor.

Dy avokatë të njohur të Karolinës së Jugut, Butch Bowers dhe Deborah Barbier, pritej të ishin avokatët kryesorë të zotit Trump. Por bashkëpunimi mes tyre mori fund për shkak të qasjeve të ndryshme lidhur me strategjinë ligjore për gjyqin, përfshirë këmbënguljen e zotit Trump mbi pretendimet për manipulim të zgjedhjeve, sipas raporteve mediatike që citonin persona në dijeni të çështjes.

Ish-Presidenti përballet me akuzën për "nxitje të akteve të dhunës" në lidhje me turmën që hyri me forcë në Kapitol më 6 janar.

Demokratëve u nevojiten dy të tretat e votave në Senat për të fajësuar zotin Trump. Kjo do të thotë se ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë si prokurorë në gjyqin në Senat përballen me detyrën e vështirë për të bindur të paktën 17 republikanë që të votojnë për të fajësuar zotin Trump, duke e marrë të mirëqenë se i gjithë grupi demokrat do të votojë pro akuzës.

Disa republikanë e kanë kundërshtuar zhvillimin e gjyqit me argumentin se ai është antikushtetues pasi zoti Trump nuk është më president.

Zoti Trump është presidenti i parë amerikan ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza për shkarkimin e tij. Një vit më parë Senati hodhi poshtë akuzat ndaj tij për abuzim me detyrën e për pengim të punës së Kongresit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG