Lidhje

SHBA, Operacione kundër trafikut seksual 


Autoritetet amerikane po sjellin në qendër të vëmendjes problemin e trafikut me njerëz, të cilët shfrytëzohen qoftë për punë të detyruar, apo për tregtinë e seksit, shpesh në moshë të mitur. Agjencitë e rendit dhe të ndihmës sociale po bashkërendojnë punën për të shpëtuar viktimat dhe për t’i ndihmuar të rehabilitohen.

Një vajzë e re e ka kaluar fëmijërinë në familje që e merrnin në kujdestari, ose nëpër qendra për të rinj. Ajo prezantohet me emrin Egypt dhe që në moshën 16 vjeçare, ka hyrë në tregtinë e seksit, e rekrutuar nga një shoqe:

“Ajo më tha: ‘Kështu mund të fitosh para, ke një mënyrë për të siguruar jetesën.’ Unë pranova,” tregon Egypt.

Kështu filloi cikli i abuzimit.

Gjatë një operacioni kohët e fundit në Los Anxhelos, forcat e rendit shpëtuan 33 të mitur, tetë prej tyre viktima të trafikut, si Egypt, të cilët shfrytëzoheshin seksualisht.

Një numër agjencish morën pjesë në Operacionin Los Anxhelos.

“Trafikantët janë shumë të aftë për të zbuluar ku i ka pikat e dobëta viktima, duke ia plotësuar atë nevojë dhe më pas i manipulojnë të futen në këtë aktivitet. Kur janë në moshë të mitur nuk bëhet fjalë as për manipulim. Janë fëmijë, janë të pambrojtur,” thotë agjentja e FBI-së Amanda Detterline.

Një numër organizatash ofrojnë ndihmë. Një prej tyre është “Fëmijët e Natës” e themeluar nga Lois Lee:

“Këta fëmijë, shumë prej tyre të rritur në shtëpi ku prodhohet kokainë, apo ku prindërit merren me shitje droge, janë të abuzuar që në fillimet e jetës”.

Shpesh këta fëmijë janë marrë nën kujdestarinë e shtetit pasi abuzoheshin në familje, si Egypt, e cila jetoi në një numër familjesh ku u dërgua nga autoritetet, apo në qendra për të rinj ku situata nuk ishte fort më e mirë. Trafikantët i premtuan një jetë më të mirë. Premtimi për para e bindi vajzën.

“1,000 dollarë në ditë. Në çfarë pune tjetër mund të fitosh 1,000 dollarë në ditë? Nëse pranoja do të kisha një celular të ri, para për të bërë flokët, thonjtë, për të blerë rroba,” tregon ajo.

Por shumë shpejt vajza u zhgënjye. Një shoqe e saj u vra. Ajo vetë u sulmua dhe mund të kishte vdekur.

“Për fat të mirë, isha vetëm dy minuta larg një stacioni policor. Vrapova atje. Më pyetën se çfarë kishte ndodhur. U thashë se nuk më kujtohej. Mbaja mend një shufër metalike, katër vetë rrotull meje dhe pastaj kisha humbur ndjenjat,” tregon Egypt.

MANDATORY CREDIT: FBI))

Adoleshentët homoseksualë, të dëbuar nga familjet, hasin plot vështirësi. Një punonjës i ndihmës sociale kujton një adoleshent që punonte në tregtinë e seksit.

“Ai merrej me prostitucion për të siguruar para për ushqim e fjetje,” tregon Cesar Guijarro me organizatën “Fëmijët e Natës”.

Programet e ndihmave japin rezultat, por punonjësit thonë se për t’i rehabilituar plotësissht këta të rinj duhet një strategji gjithëpërfshirëse.

“Duhet të zgjidhim problemet që hasin këta të rinj në familje. Duhet të ndreqim problemin e drogës. Nuk ka rrugë tjetër,” thotë zonja Lee.

Egypt tani ushqen ëndrra për të ndjekur universitetin dhe ka shpresa të reja për të ardhmen.

“Nganjëherë e gjen veten në errësirë, por gjithmonë ke një dritë në fund të tunelit”.

Zonja Lee thotë se organizata e saj ka ndihmuar 500 fëmijë gjatë vitit të kaluar. Por ka plot të tjerë që akoma enden rrugëve, të shfrytëzuar dhe të dëshpëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG