Lidhje

 Përse ndodhi grushteti ushtarak në Mianmar?


Myanmar, Naypyitaw, Myanmar's military checkpoint is seen on the way to the congress compound
Myanmar, Naypyitaw, Myanmar's military checkpoint is seen on the way to the congress compound

Grushti i shtetit në Mianmar solli kontrollin e ushtrisë dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për një vit, ndërsa udhëheqësja de fakto e vendit Aung San Suu Kyi dhe politikanë të tjerë të lartë u arrestuan.

Pse tani?

E hëna supozohej të ishte dita e parë e një seance të re të Parlamentit pas zgjedhjeve të nëntorit që partia e zonjës Suu Kyi i fitoi me rezultat të thellë, ndërsa partia politike e mbështetur nga ushtria shënoi rezultate të dobëta. Ushtria ka pretenduar se parregullsitë e përhapura në listat e votuesve mund të kenë çuar në manipulim votash, megjithëse komisioni zgjedhor tha se nuk kishte prova për të mbështetur këto pretendime.

Por në njoftimin në kanalin TV Myawaddy në pronësi të ushtrisë për marrjen e pushtetit, ushtria përmendi dështimin e qeverisë për të vepruar në lidhje me akuzat si pjesë e arsyes për veprimin e tyre. Në njoftim gjithashtu thuhej se dështimi i qeverisë për të shtyrë zgjedhjet pavarësisht nga pandemia e koronavirusit ishte një arsye tjetër për këtë zhvillim.

Ushtria pretendon se veprimet e saj janë të justifikuara ligjërisht dhe njoftimi citoi një nen në kushtetutë që lejon ushtrinë të marrë nën kontroll vendin në kohë emergjence, megjithëse zëdhënësi i partisë së zonjës Suu Kyi dhe shumë zyrtarë të huaj kanë thënë se ky në të vërtet është një puç.

A Myanmar migrant holds up an image of Aung San Suu Kyi
A Myanmar migrant holds up an image of Aung San Suu Kyi

Disa ekspertë thanë se nuk i kuptojnë veprimet e ushtrisë për të prishur status kuonë, në të cilën gjeneralët vazhdojnë të gëzojnë kompetenca të jashtëzakonshme pavarësisht progresit të vendit drejt demokracisë vitet e fundit.

Por disa ekspertë theksuan afrimin e kohës së daljes në pension të Gjeneralit të Lartë Min Aung Hlaing, i cili ka qenë komandant i forcave të armatosura që nga viti 2011 dhe u vendos në krye të vendit të hënën.

"Ka dinamikë të brendshme politike në radhët e ushtrisë rreth kësaj çështje, e cila është shumë e paqartë", tha Kim Jolliffe, një studiues i marrëdhënieve civile dhe ushtarake në Mianmar. "Kjo mund të jetë një pasqyrim i atyre dinamikave dhe mund të jetë disi si një puç në radhët e ushtrisë dhe mënyra e tij për të ruajtur pushtetin brenda ushtrisë."

Çfarë po nodh brenda Mianmarit?

Sinjalet televizive u ndërprenë në të gjithë vendin, ashtu si edhe telefonat dhe qasja në internet në kryeqytetin e vendit Najpjutavë, dhe avionët e pasagjerëve nuk u lejuan të niseshin. Njoftohet se shërbimi i telefonave është ndërprerë edhe në pjesë të tjera të vendit, megjithëse njerëzit ishin akoma në gjendje të përdornin internetin në shumë zona.

Tela me gjemba janë vendosur në shumë rrugë të qytetit më të madh të vendit, Jangon, dhe njësitë ushtarake filluan të shfaqeshin jashtë ndërtesave qeveritare, përfshirë bashkinë e qytetit.

Myanmar Coup
Myanmar Coup

Banorët u dyndën nëpër bankomate dhe stenda ushqimore, ndërsa disa dyqane dhe shtëpi hoqën simbolet e partisë së zonjës Suu Kyi, Lidhja Kombëtare për Demokraci, që zakonisht zbukurojnë rrugët dhe muret e qytetit.

Çfarë nënkupton ky veprim për zonjën Suu Kyi?

Suu Kyi kaloi shumë vite në arrest shtëpiak dhe mori Çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e saj për të sjellë demokracinë në Mianmar. Por reputacioni i saj jashtë vendit u dëmtua pasi ajo doli në mbrojtje të shtypjes së komunitetit mysliman Rohinga, një fushatë që Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera e kanë quajtur gjenocid.

Ish-diplomati amerikan Bill Richardson vuri në dyshim aftësinë e zonjës Suu Kyit për të udhëhequr për shkak të mbrojtes që i bëri fushatës kundër komunitetit Rohinga.

"Për shkak të dështimit të zonjës Suu Kyi për të promovuar vlerat demokratike si udhëheqëse de fakto e Mianmarit, ajo duhet të tërhiqet dhe t’ia hapë rrugën një udhëheqësi tjetër demokratik të Mianmarit që mund të marrë mbështetjen ndërkombëtare", tha zoti Richardson në një deklaratë.

Çfarë pritet të ndodhë tani?

Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare dënuan puçin, duke thënë se ai zvarrit reformat e kufizuara demokratike që ka ndërmarrë Mianmari.

"Kjo është një goditje jashtëzakonisht e fortë ndaj përpjekjeve për ta paraqitur Mianmarin si një demokraci", tha Linda Lakhdhir, këshilltare ligjore e organizatës Human Rights Watch. "Kredibiliteti i vendit në skenën botërore ka marrë një goditje masive", shtoi ajo.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë frikë se mund të ketë një fushatë të mëtejshme të shkeljes së të drejtave të njeriut, si dhe të shtypjes së gazetarëve dhe aktivistëve. Edhe para këtij grushteti ushtarak, kritikët e ushtrisë shpesh përballeshin me padi ligjore.

Puçi do të jetë gjithashtu një provë për komunitetin ndërkombëtar, i cili kishte izoluar Mianmarin gjatë dekadave që ishte nën sundimin e rreptë ushtarak, por më pas e përqafoi me entuziazëm ndërsa vendi filloi të lëvizte drejt demokracisë në vitet e fundit.

Në një deklaratë që dënon veprimet e ushtrisë, Presidenti amerikan Joe Biden kërcënoi të vendosë sanksione të reja ndaj Mianmarit, një mundësi që po shqyrtohet edhe nga vende të tjera.

Udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit "duhet të lirojnë menjëherë udhëheqësit demokratikë të Mianmarit dhe të largohen nga pushteti", tha senatori demokrat Bob Menendez, kryetari i ri i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. "Nëse jo, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera duhet të vendosin sanksione të rrepta ekonomike, si dhe masa të tjera" kundër ushtrisë dhe udhëheqësve të saj, tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG