Në Shqipëri nisi të martën vaksinimi me dozën e dytë kundër koronavirusit për disa qindra punonjës të shëndetësisë. Ata u vaksinuan me sasinë e parë prej 975 dozash, që autoritetet i siguruan nga burime konfidenciale në fillim të janarit.
Nga kompania Pfizer erdhi mbrëmë në Tiranë ngarkesa e parë e kontraktuar e vaksinave, e cila përmbante 1 mijë e 170 doza, ndërsa nga mesi i janarit priteshin 10 mijë doza, sipas marrëveshjes.
Zyrtarët shqiptarë pohuan se vonesa dhe pakësimi i dozave u shkaktua nga vështirësitë e furnizimeve në Europë. Sipas tyre, kompania ka konfirmuar se brenda shkurtit do të vijnë në Shqipëri 40 mijë doza të tjera vaksinash.
Autoritetet kanë pohuar se përparësi në vaksinim kanë mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë. Shqipëria ka në sistemin shëndetësor afro 4 mijë e 700 mjekë dhe mbi 12 mijë infermirerë. Për këta 17 mijë punonjës shëndetësie nevojitet pjesa dërrmuese e vaksinave, që pritet të vijnë gjatë shkurtit.
Ndërkohë, javën e fundit të janarit situata e pandemisë erdhi duke u rënduar. Numri i viktimave u rrit me 60 përqind, ndërsa 69 persona humbën jetën në spitalet Covid. Gjithsej në 10 muaj humbën jetën 1 mijë e 369 persona nga koronavirusi. Po ashtu, është rritur në 365 numri i të shtruarve në 4 spitalet Covid.
Facebook Forum