Lidhje

SHBA e cilëson grusht shteti ngjarjen në Mianmar


Departamenti amerikan i Shtetit do të kryejë një rishikim të ndihmës për Mianmarin pasi ka dalë në përfundimin se marrja këtë javë e pushtetit nga ushtria në vendin aziatik, përbën një grusht shteti. Lajmi u njoftua të martën nga zyrtarë të lartë të departamentit.

Presidenti Joe Biden ka kërcënuar me sanksione të reja kundër gjeneralëve që morën pushtetin në Mianmar dhe arrestuan udhëheqësit e zgjedhur, mes tyre laureaten për çmimin Nobel Aung San Suu Kyi të hënën herët të mëngjës.

Në një konferencë shtypi për gazetarët, zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se Uashingtoni nuk ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqësit e grushtit të shtetit ose udhëheqësit e qeverisë civile të rrëzuar tashmë.

Sipas ligjit amerikan, ndihma nga SHBA kufizohet automatikisht pas vlerësimit se në një vend ka ndodhur një grusht shteti. Megjithatë zyrtarët thanë se ndihma humanitare, përfshirë ajo ndaj pakicës myslimane pa shtetësi në Mianmar, Rohinga, si dhe programet që mbështesin demokracinë ose nga të cilat përfiton shoqëria civile, do të vazhdojnë.

"Ne do të bëjmë një rishikim më të gjerë të programeve tona të ndihmës për t'u siguruar që ato të përputhen me ngjarjet e fundit", tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu do të kryejnë një rishikim të sanksioneve kundër udhëheqësve ushtarakë të Mianmarit dhe kompanive të lidhura me ta.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit informuan të hënën për situatën stafin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, por pa përmendur sanksione të reja.

Zyrtarët amerikanë po përpiqen të punojnë me aleatët evropianë dhe ata aziatikë të cilët kanë kontakte me ushtrinë e Mianmarit, por nuk kanë bërë shumë përparim, sipas një ndihmësi që ishte i pranishëm në takim.

Udhëheqësi i republikanëve të Senatit Mitch McConnell, i cili ka lidhje të ngushta me udhëheqësen e Mianmarit Suu Kyi, tha në një deklaratë që kishte biseduar të hënën me Presidentin Biden dhe sekretarin e Shtetit Antony Blinken në lidhje me situatën atje dhe se i kishte kërkuar administratës që "ushtria ta paguante shtrenjtë këtë sulm ndaj demokracisë", sikurse ishte shprehur ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG