Lidhje

Biden, urdhra ekzekutivë për migracionin


Presidenti i SHBA Joe Biden urdhëroi të martën një rishikim të praktikave për pranimin e azilantëve në kufirin SHBA-Meksikë dhe për sistemin e imigracionit ndërkohë që përpiqet të zhbëjë disa prej politikave të ashpra të ish-Presidentit Donald Trump.

Zoti Biden krijoi gjithashtu një grup pune për të ribashkuar familjet migrante të cilat ishin ndarë në kufi nga strategjia e 'tolerancës zero' të Presidentit Trump në vitin 2018.

"Ne do të punojmë për të zhbërë turpin moral dhe kombëtar të administratës së mëparshme që me plot gojën, jo në mënyrë figurative, rrëmbeu fëmijët nga krahët e familjeve të tyre," tha Presidenti Biden ndërsa nënshkruante urdhrat ekzekutivë në Shtëpinë e Bardhë.

Mbështetësit e imigracionit i kanë kërkuar administratës së re demokrate që të lëvizë shpejt, por ndihmësit e zotit Biden thonë se u duhet kohë për të zbardhur shtresat e shumta kufizuese për imigracionin të vëna në zbatim gjatë administratës Trump dhe për të krijuar sisteme të favorshme për migrantët.

"Kjo nuk do të ndodhë brenda natës," tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Urdhrat ekzekutivë të Presidentit Biden nuk trajtojnë çështjen e shfuqizimit të një urdhri të firmosur gjatë periudhës së pandemisë nën administratën Trump, i njohur si "Mandati 42". Ky i fundit i lejon zyrtarët e kufirit që të dëbojnë pothuajse të gjithë njerëzit e kapur duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Presidenti Biden ka kërkuar rishikimin e një rregulli të vendosur gjatë administratës Trump i cili e ka bërë më të vështirë për emigrantët e varfër që të sigurojnë qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Ai gjithashtu urdhëron një rishikim të Protokolleve të Mbrojtjes së Migrantëve (MPP), një program që ktheu 65,000 azilkërkues sërish në Meksikë në pritje të seancave gjyqësore në SHBA. Shumica u kthyen në vendet e tyre, por disa mbetën në një kamp të improvizuar pranë kufirit meksikan.

Administrata e zotit Biden tashmë ka ndaluar shtimin e njerëzve në program, por ajo ende nuk ka thanë se si do t'i përpunojë kërkesat e atyre që janë regjistruar tashmë.

Chad Wolf, ish-sekretari i Departamentit për Sigurinë e Brendshme nën administratën Trump, tha në një intervistë se ndalimi i programit (MPP) do të ishte gabim sepse ai kishte qenë një parandalues efektiv i migracionit të paligjshëm.

"Nëse ka një rritje të migrantëve, po hiqet nga tavolina një nga mjetet kundër kësaj dukurie", tha ai duke iu referuar programit.

Këshilltarët e Presidentit Biden kanë thënë gjatë muajve të fundit se ata nuk do t’i ndryshojnë menjëherë politikat kufitare dhe ato të azilit të vendosura gjatë administratës Trump për shkak të shqetësimeve në lidhje me inkurajimin e migracionit të paligjshëm gjatë pandemisë së koronavirusit.

Vetë zoti Biden tha në dhjetor se administrata e tij kishte nevojë të vendoste një "gardh mbrojtës" në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mos "përfundonin me dy milionë njerëz në kufi".

Veprimet e zotit Biden të martën pasojne gjashtë urdhra emigracioni që ai lëshoi në ditën e tij të parë në detyrë dhe do ta avancojnë më tej axhendën e tij ambicioze pro-emigrantëve që kërkon të fshijë politikat kufizuese të zotit Trump ndaj imigracionit të ligjshëm dhe të paligjshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG