Lidhje

Ekspertët: Administrata Biden ka të ngjarë të ndryshojë polikat ndaj Phenianit


Administrata e presidentit Biden ka të ngjarë të ndryshojë politikat e ndjekura nga administrata Trump ndaj Koresë së Veriut, por ekspertët shohin pak shpresë për përparim të dukshëm drejt denuklearizimit duke patur parasysh vendosmërinë e Phenianit për të forcuar arsenalin e tij bërthamor.

Ndërsa administrata e re Biden po përgatitet të formulojë politikat e saj ndaj Koresë së Veriut, ekspertët mendojnë se administrata ndoshta duhet të kthehet tek qasja e denuklearizimit me faza që u ndoq para mandatit të ish-Presidentit Donald Trump.

SH.B.A. tradicionalisht ka favorizuar një qasje të tillë me hapa ku Uashingtoni do të jepte një seri koncesionesh ose shpërblimesh të vogla si lehtësime sanksionesh apo stimuj ekonomikë ndërkohë që Pheniani tët ndërmerrte hapa të vegjël përgjatë trajektores afatgjatë të një denuklearizimi.


"Unë mendoj se administrata e presidentit Biden ka të ngjarë të kërkojë denuklearizimin me faza të programit bërthamor të Koresë së Veriut në këmbim të lehtësimit të sanksioneve në vazhdimësi," tha Gary Samore, i cili shërbeu si koordinator i Shtëpisë së Bardhë për kontrollin e armëve dhe armët e shkatërrimit në masë gjatë kohës së administratës Obama.

"Siç e pamë në samitin e Hanoit, Kim Jong Uni nuk është i gatshëm të pranojë një marrëveshje madhore për denuklearizimin e plotë në këmbim të lehtësimit të plotë të sanksioneve", tha zoti Samore, duke iu referuar udhëheqësit të Koresë së Veriut.

Në Samitin e Hanoit në shkurt të vitit 2019, ish presidenti Trump i propozoi një marrëveshje të përgjithshme Kim Jong Unit.

Ai kërkoi shpërbërjen e plotë të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut në këmbim të lehtësimit të sanksioneve që u vendosën ndaj regjimit për të pakësuar të ardhurat e tij jashtë vendit të përdorura për financimin e programit të tij të armëve bërthamore.

Kim e hodhi poshtë propozimin, samiti përfundoi pa një marrëveshje dhe bisedimet pasuese në nivel ekspertësh në Stokholm në tetor gjithashtu dështuan pa arritur përparim drejt një marrëveshjeje.

Mbështetja për Denuklearizimin


Pasi Presidenti Joe Biden bëri betimin më 20 janar, ai pohoi nevojën për një denuklearizim të plotë të Gadishullit Korean gjatë një thirrje telefonike me kryeministrin japonez Yoshihide Suga më 27 janar.

Të hënën, sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha rrjetit NBC News se administrata Biden planifikon të përdorë sanksione shtesë në koordinim me aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe mjete stimuluese të paspecifikuara diplomatike për të denuklearizuar Korenë e Veriut.


Sipas Evans Revere, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit me përvojë të gjerë në negociatat me Korenë e Veriut, ndjekja e një qasje për marrëveshje të vogla me faza apo për një marrëveshje të madhe nga Uashingtoni mund të jetë e parëndësishme përballë qëllimit të Phenianit për të vazhduar zgjerimin e programit të saj të armëve bërthamore.

"Ditët e një "marrëveshje të vogël "apo "një marrëveshje të madhe" pothuajse kanë mbaruar", tha zoti Revere.

"Me listën e armëve bërthamore dhe teknologjisë së raketave balistike që Kimi synon të zhvillojë dhe duke parë çdo sinjal tjetër që ka ardhur nga Pheniani vitet e fundit, Koreja e Veriut nuk do të denuklearizohet me vullnetin e saj të lirë," shton zoti Revere . "Sipas pikëpamjes së Phenianit, loja tani ka ndryshuar".

Duke cituar deklaratat e Kimit gjatë Kongresit të Tetë të Partisë së Punës të Koresë së Veriut që u mbajt nga 5 deri në 12 janar, zoti Revere tha se Kim Jong Un "theksoi se arritja e objektivit për t’u bërë shtet me armë bërthamore ka qenë qëllimi strategjik mbizotërues i Koresë së Veriut".

Në një shfaqje të forcës, Koreja e Veriut reklamoi armë të reja përmes paradave ushtarake të zhvilluara para zgjedhjeve presidenciale të SHBA dhe pasi Kongresi certifikoi Bidenin si president.

Në intervistën e tij të parë që kur u arratis në Korenë e Jugut më shumë se një vit më parë, Ryu Hyeon-woo, ish-ambasadori i përkohshëm i Koresë së Veriut në Kuvajt, i tha të dielën kanalit CNN se "Kim Jong Un nuk mund të denuklearizojë vendin" pasi "fuqia bërthamore e Koresë së Veriut është e lidhur drejtpërdrejt me stabilitetin e regjimit të tij”.

Bisedimet në nivel ekspertësh

Pavarësisht nga mosgatishmëria e saj për denuklearizim, tha zoti Revere, Koreja e Veriut do të negociojë me Shtetet e Bashkuara.

"Koreja e Veriut është e gatshme për një negociatë, por nuk do që ajo të ketë të bëjë me denuklearizimin," tha zoti Revere.

Ai shtoi se synimi i negociatave të Phenianit është të bindë administratën Biden ta pranojë Korenë e Veriut si një fuqi të armëve bërthamore dhe të hyjë në bisedime për kontrollin e armëve që mund të ngadalësojnë zhvillimin e saj të armëve bërthamore dhe raketave.

Përndryshe, tha zoti Revere, Pheniani ka të ngjarë t'i thotë Uashingtonit se synon të vazhdojë rrugën e të qënurit një shtet më i aftë i armëve bërthamore.

Sipas zotit Revere, administrata Biden ka të ngjarë të angazhohet në bisedime me Korenë e Veriut, "në parim", në nivele pune, ose ekspertësh.

Scott Snyder, drejtor i programit të politikës amerikano-koreane në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, mendon gjithashtu se administrata Biden do të angazhohet me Korenë e Veriut përmes bisedimeve të nivelit të punës përpara se të mbajë ndonjë samit.

Ish presidenti Trump preferoi qasjen e një diplomacie nga lart poshtë, kur i dha përparësi takimit me Kimin gjatë dy samiteve duke filluar në qershor 2018 në Singapor, në vend që t’u linte vend bisedime në nivele të grupeve të punës që do të çonin më pas në samite.

Duke kritikuar qasjen e Trump-it, presidenti Biden tha gjatë një debati parazgjedhor me Trumpin në tetor se ai do të takohej me Kimin por "me kusht që ai të pranonte që do të pakësonte kapacitetin e tij bërthamor".

Duke kërkuar bashkëpunimin kinez për sanksionet

Joe Biden tha gjithashtu gjatë debatit se ai do të bënte presion mbi Kinën për të mbajtur Korenë e Veriut nën kontroll.

Si OKB-ja edhe Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën se ka ndihmuar Korenë e Veriut të sfidojë sanksionet.

Zoti Snyder tha, "Unë besoj se administrata e Bidenit do të kërkojë bashkëpunimin e Kinës në ndjekje të synimit për denuklearizimin e Koresë së Veriut, por nëse Kina nuk do tregohet e gatshme të zbatojë sanksionet dhe të ndalojë lehtësimin e evazionit të sanksioneve, administrata Biden nuk do të ketë mundësi tjetër veç sanksioneve të njëanshme nëse dëshiron të bëjë presion në mënyrë të efektshme mbi Korenë e Veriut. "

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit u tensionuan gjithnjë e më shumë gjatë vitit të fundit të presidencës Trump. Administrata e tij mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Kinës lidhur me përgjegjësinë për COVID-19, autonominë për Hong Kongun dhe pavarësinë e Tajvanit.

Kina u përgjigj me retorikë të ashpër, sanksione hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara dhe prani të shtuar ushtarake pranë Tajvanit.

Të enjten, Kina kërcënoi duke thënë se "pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë". Kina pretendon se Tajvani është territori i saj megjithë kundërshtimin e Tajvanit. Uashingtoni ka njohur prej kohësh modelin e një Kine, me dy sisteme për Tajvanin, por më 9 janar, ish sekretari Pompeo hoqi kufizimet e vet-imponuara të Shteteve të Bashkuara për kontakte midis SH.B.A. dhe Tajvanit, duke e shtyrë Kinën të reagonte.

Duke patur parasysh këto zhvillime, zoti Revere tha se, "Pekini nuk është I predispozuar 't'i bëjë një favor SHBA-së' duke bashkëpunuar për Korenë e Veriut për shkak të përkeqësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve SHBA-Kinë" përveç rastit nëse Koreja e Veriut "bën diçka që e zemëron Pekinin, të tillë si një provë bërthamore ose raketash me rreze të gjatë veprimi”.

Kthimi tek të drejtat e njeriut

Në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut, Bruce Klingner, një studiues i shquar në Foundacionin Heritage tha, "Administrata Biden duhet të kthejë të drejtat e njeriut në politikën e saj ndaj Koresë së Veriut dhe të plotësojë pozicionin e koordinatorit për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut që Trumpi e la vakante."

Të shtunën, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e kryesuar nga Michelle Bachelet, publikoi një raport duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të referojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare koreano-veriore që janë përgjegjës për ato që i quajti krime kundër njerëzimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG