Lidhje

Shqipëri: Varfëria shumëvjeçare e periferive rëndohet nga pandemia


Izolimi nga pandemia ua shtoi edhe më shumë hallet e jetës familjeve të varfëra shqiptare.

Shqipëri: Varfëria shumëvjeçare e periferive rëndohet nga pandemia
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00


Në lagjen Bathore të Kamzës me 35 mijë banorë, pak kilometra larg kryeqytetit, problemet e mbijetesës janë nga më të ndryshmet.

Bashkia dhe organizatat humanitare po ndihmojnë banorët të kapërcejnë vështirësitë e panumërta.

Besimi, me shikimin të dëmtuar, së bashku me gruan dhe 4 fëmijë, jetojnë atje në një seksion të ngushtë të një kapanoni, ku dikur ishin stallat e lopëve të ndërmarrjeve bujqësore të diktaturës.

Kushtet e jetesës janë tepër të vështira për 4 fëmijët, me dy prindërit e papunë. Gjysma e familjes kanë një kufizim të trashëguar në shikim, dhe dy prej fëmijëve mësojnë në shkollën e posaçme për këtë grup, edhe pse shumë kilometra larg shtëpisë.

Ndërsa dy fëmijët më të rritur, djali në universitet dhe vajzaa në gjimnaz, ëndërrojnë të bëhen njëri agronom dhe tjetra doktoreshë.

“Na kanë prurë ushqime, na kanë prurë dyshekë, syze për vajzat. Ka dashur i madhi Zot na kanë ndihmuar këto të shoqatës World Vision për syzet dhe për të tjera nevoja” - tha Besim Gjici, banor i Bathores.

Ashtu si Besimi, jetojnë edhe 100 familje të tjera të Bathores në këto stalla të bagëtive, që u mbushën me njerëz prej nevojës për strehim.

Bardhoku, përfaqësuesi i organizatës World Vision, ndjek personalisht nga afër 400 familje në nevojë, sjell ndihma dhe mban shënim nevojat e tyre të panumërta.

Te famlja e Besimit organizata e tij ndihmoi për vizitat e syve dhe syzet, pako ushimore, por nevojat janë në rritje bashkë me rritjen e fëmijëve, ndërsa streha për 6 vetë është e ngushtë dhe me lagështi.

“Problematikat në këtë zonë ku jemi sot janë shumë të mëdha. Shumë familje jetojnë në disa ndërtesa të dëmtuara, që dikur kanë qenë stalla të bagëtive. Por ka edhe halle të tjera: dikush ka problem ndërtesën, strehimin, dikush ka probleme me shëndetin, dikush vuan nga papunësia” - tha veprimtari Bardhok Ceku, koordinator terreni i organizatës World Vision.

Administratorin e Bathores e gjetëm rastësisht pak metra më tutje, duke ndjekur punimet në rrugën e re Gjergj Fishta.

Ai na tha se ende nuk ka një plan konkret për strehimin e 100 familjeve që jetojnë tek sih-stallat, por bashkia me drejtues të rinj po studiojnë nga afër nevojat e gjithë Bathores.

E ndërkohë ata janë duke shpërndarë ndihma ekonomike për familjet më të varfëra, krahas ushqimeve dhe materialeve të tjera që shpërndajnë organizatat humanitare.

“Jemi të vëmendshëm për problemet dhe shqetësimet e banorëve në Bathore, Paskuqan, Valiasit dhe Kamzës. Përditë presim dhe dëgjojmë shumë banorë. Të gjithë shqetësimet vlerësohen dhe verifikohen pranë secilës famije” - tha Ylli Shehu, administrator i Bathores.

Krahas paketa ushqimore dhe ndihmave shëndetësore, organziata World Vision po shpërndan në këtë zonë tejet të varfër dhe ndihma ekonomike që lehtësojnë jetesën e familjeve.

Në një pjesë të familjeve kanë dhuruar disa dhi për qumësht, e në disa të tjera koshere bletësh. Emin Basha është një nga përfituesit e koshereve të bletëve. Ai ka 10 fëmijë në një shtëpi të vogël, që gjendet midis shkollës xhamisë dhe shkollës.

“Sa i takon shtetit, shteti nuk më është përgjigjur fare për asnjë gjë. Me rastin e koronavisurit vetëm 25 kg miell më kanë sjellë. Isha pa punë, i mbyllur brenda. Për mua rrofshin “Shqiptarët për Shqiptarët”, World Visioni dhe gjithë shoqatat, që më kanë mbajtur gjallë, se jam me 10 fëmijë në kulmin e varfërisë, dhe i papunë” - banori i Bathores, Emin Basha.

Veprimtarët e World Vision e mbajnë zonën e Bathores në qendër të vëmendjes, edhe pse organizata humanitare është e shtrirë në gjithë vendin.

Drejtuesja e saj, Eljona Elmazi, thotë se dy vitet e fundt, pas tërmetit dhe pandemisë, veprimtaria e tyre është shumëfishuar.

“Pa përmendur shifrat e tërmetit, duke përfshirë vetëm pandeminë nga mesi i marsit e deri në dhjetor kemi ndihmuar mbi 68 mijë përfitues të drejtpërdrejtë në 24 bashki të Shqipërisë” - tha zonja Elmazi.

Vetëm pak kilometra nga qendra e kryeqytetit, varfëria në Bathore, thonë banorët atje, është problem i madh shumëvjeçar dhe për të dalë nga vorbulla e saj nevojiten projekte afatgjata, krahas ndihmës së ngushtme për nevojat e jetesës së përditshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG