Një kompani teknologjike për votimin elektronik po hedh në gjyq kanalin Fox News, tre prej prezantuesve të tij dhe dy ish-avokatë të ish-Presidentit Donald Trump - Rudy Giuliani dhe Sidney Powell - për 2.7 miliardë dollarë, nën akuzat se të pandehurit kanë komplotuar për të përhapur pretendime të rreme se kompania ndihmoi në "vjedhjen" e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Akt-padia prej 285 faqesh e paraqitur të enjten në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut nga kompania Smartmatic USA me bazë në Florida, është një nga paditë më të mëdha për shpifje që është ngritur ndonjëherë. Më 25 janar, një kompani tjetër e votimit elektronik - Dominion Voting Systems, e cila gjithashtu u përfol në përpjekjen e pabazuar të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve - paditi zotin Guiliani dhe zonjën Powell për 1.3 miliardë dollarë.
Ndryshe nga kompania Dominion, teknologjia e të cilës u përdor në 24 shtete, pjesëmarrja e Smartmatic në zgjedhjet e 2020-ës u kufizua në qarkun e Los Anxhelesit, i cili voton më shumë për demokratët.
Megjithë rolin e kufizuar të kompanisë Smartmatic, Fox transmetoi të paktën 13 raportime në të cilat thuhej ose nënkuptohej se kompania kishte vjedhur votat e vitit 2020 në një marrëveshje të fshehtë me qeverinë socialiste të Venezuelës, thuhet në akt-padi. Kjo "fushatë dezinformuese" vazhdoi edhe pasi Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm William Barr tha se Departamenti i Drejtësisë nuk mundi të gjente prova të mashtrimit në masë të votuesve.
Për shembull, një kronikë e 10 dhjetorit nga prezantuesi Lou Dobbs akuzoi kompaninë Smartmatic dhe drejtorin ekzekutiv të saj, Antonio Mugica, se po punonin për të hedhur votat përmes një programi jo-ekzistent në sistemin e tyre për të kryer një "sulm kibernetik masiv ", pretendohet në akt-padi.
"Varianti i dhënë nga të pandehurit ishte një gënjeshtër," thuhet në akt-padi. "Por u shit si i vërtetë."
Në akt-padi thuhet gjithashtu se prezantuesit e kanalit Fox, Lou Dobbs, Maria Bartiromo dhe Jeanine Pirro gjithashtu përfituan drejtpërdrejt nga përfshirja e tyre në këtë teori konspirative. Në padi thuhet se kanali Fox u bë pjesë e "lojës së mirë-orkestruar" për shkak të presionit nga media të reja si Newsmax dhe One America News, të cilat po I merrnin shikuesit konservatorë, pro-Trumpit.
Në një deklaratë në emër të rrjetit dhe drejtuesve të tij, Fox News Media i hodhi poshtë akuzat. Ajo tha se është krenare për mbulimin e saj të zgjedhjeve dhe do të mbrojë veten kundër padisë "së pabazë" në gjykatë.
Facebook Forum