Presidenti Joe Biden vizitoi të enjten Departamentin e Shtetit dhe paraqiti vizionin e tij për politikën e jashtme të SHBA. Ai kërkoi mes të tjerash një ndryshim të përgjithshëm të diplomacisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine raporton.
Presidenti Joe Biden dha një mesazh të ngutshëm për diplomatët dhe punonjësit e Departamentit të Shtetit në të gjithë botën.
“Amerika është kthyer. Diplomacia është kthyer. Ju jeni qendra e gjithçkaje që kam ndërmend të bëj", tha ai.
Zoti Biden tha se, në ndryshim nga politika e ish-Presidentit Donald Trump, hiqte dorë nga mbështetja për ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga sauditët në luftën civile të Jemenit.
“Kjo luftë duhet të marrë fund. Dhe, për të nënvizuar angazhimin tonë, ne po i japim fund gjithë mbështetjes amerikane për operacionet sulmuese në luftën në Jemen, përfshirë shitjet e armëve për këtë qëllim," tha Presidenti.
Zoti Biden po krijon postin e një emisari amerikan për Jemenin dhe ka emëruar në këtë detyrë diplomatin e karrierës Tim Lenderking. Një ekspert tha se kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm.
"Mendoj se duke pasur një diplomat amerikan atje, kjo dërgon një sinjal të fuqishëm se SHBA janë vërtet të përkushtuara për zgjidhjen e konflikteve," thotë Brian Katulis, i Qendrës për Progresin Amerikan.
Zoti Biden dha një njoftim tjetër me rëndësi për pranimin e refugjatëve nga konfliktet vdekjeprurëse si ai në Jemen.
"Jam duke miratuar një urdhër ekzekutiv për të filluar punën e vështirë të ripërtëritjes së programit tonë të pranimit të refugjatëve, për t’iu përgjigjur nevojës globale, që është rritur si kurrë më parë," tha ai.
Presidenti Biden dënoi grushtin e shtetit në Mianmar dhe i bëri thirrje ushtrisë të dorëzojë pushtetin, të lirojë udhëheqësit civilë dhe të rivendosë shërbimin e internetit.
Ai njoftoi gjithashtu një rishikim të forcave amerikane në të gjithë botën dhe pezulloi tërheqjen e trupave nga Gjermania, të planifikuar nga ish-Presidenti Trump.
Ky vendim, thotë analisti Katulis, u jep garanci Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë të ngushtë të Amerikës në Evropë.
“Ajo që arrihet me këtë lëvizje është një lloj kthimi i politikës së jashtme amerikane tek normat ku SHBA bashkëpunojnë ngushtë me aleatët, sidomos me aleatët demokratikë,” thotë Brian Katulis, i Qendrës për Progresin Amerikan.
Zoti Biden u tha punonjësve të Departamentit të Shtetit se ai vlerëson ekspertizën e tyre dhe kurrë nuk do t'i verë ata në shënjestër apo do të politizojë punën e tyre.