Lidhje

Zbulohen sasi të mëdha narkotikësh në trungjet e pemëve në kufirin shqiptaro grek


Policia greke tha të shtunën se zbuloi sasi të mëdha marijuane të presuar të fshehur në trungjet e pemëve në kufirin greko – shqiptar, në zonën e Thesprotisë. Sipas policisë greke rreth 170 kilogramë marijuanë, ishin futur në 6 çanta udhëtimi që u gjetën në trungjet e pemëve dhe ruheshin në distancë nga një shtetas shqiptar, tashmë i arrestuar.

Policia greke tha se në të njëjtin vend u gjendën edhe materiale paketimi, dylbi për shikimin në terren, ushqime etj, të cilat flasin se zona përdorej si një bazë për grumbulimin e marijuanës që hynte nga Shqipëria për ta transportuar më pas në thellësi të Greqisë.

Kjo metodë përdoret nga trafikantë e lëndëve narkotike, të cilët, sipas hetimeve policore në të dy vendet, transferojnë me korrierë të vegjël drogën në kufi dhe më pas krijojnë baza në zonat kufitare greke ku magazinojnë sasitë e narkotikëve. Më pas ato transportohen me mjete të ndryshme transporti për në thellësi të territorit grek.

Greqia është destinacioni i dytë i marijuanës që kultivohet në Shqipëri pas Italisë. Kufiri jugor shqiptar me Greqinë është në shënjestrën e trafikantëve të drogës dhe pas mbylljes së disa prej pikave kufitare trafikantët shfrytëzojnë kufirin e gjelbër për të transportuar drejt Greqisë lëndën narkotike.

Shqipëria dhe Greqia nënshkruan fillimin e këtij viti një marrëveshje për funksionimin në Kakavijë të një qendre të përbashkët policore dhe doganore për të luftuar format e krimit ndërkufitar. Marrëveshja parashikon vendosjen e një trupe të përbashkët policore dhe doganore në mjediset e Qendrës në anën greke të pikës së Kakavijëst.

Sipas marrëveshjes së përbashkët policia greke dhe ajo shqiptare do të realizojnë bashkarisht shkëmbimin dhe analizën e informacioneve që lidhen me forma të ndryshme të krimit në kufijtë e të dy vendeve, përfshirë trafikun e drogës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG