Lidhje

Sonda kineze hyn në orbitën marsiane


Media shtetërore kineze njoftoi të mërkurën se një anije hapësinore e njohur si “Tianwen-1” ka hyrë me sukses në orbitën e planetit Mars, hapi i parë i një misioni ambicioz që përfshin uljen e një mjeti robotik në sipërfaqen marsiane.

Përmes një deklarate, Administrata Kombëtare e Hapësirës së Kinës tha se anija kozmike përdori manovra për të ulur shpejtësinë në masën e duhur që të futej në orbitën e planetit dhe gravitetin e tij, duke shënuar herën e parë që ai shtet arrin pranë planetit të kuq.

Kina thotë se anija e saj kozmike do të përpiqet që në maj ose qershor të ulë në sipërfaqen marsiane një kapsulë që mban një rover me peshë 240 kilogramë. Ulja është planifikuar në një fushë masive në hemisferën veriore të planetit që njihet me emrin “Utopia Planitia”. Nëse gjërat shkojnë sipas planifikimeve, roveri do të kryejë një mision 90-ditor për studimin e dheut, në kërkim të gjurmëve të ujit dhe shenjave të jetës antike.

Më herët, një sondë nga Emiratet e Bashkuara Arabe hyri në orbitën marsiane me qëllim studimin e atmosferës dhe motit. Në ditët në vazhdim pritet që një sondë amerikane nga NASA, e cila po transporton roverin e saj robotik dhe një helikopter të vogël, të arrijë në planetin e kuq.

Misionet u planifikuan për të shfrytëzuar rastin e një pozicionimi të rallë mes Tokës dhe Marsit. Dy sondat e reja nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do t’u bashkohen gjashtë anijeve të tjera që ndodhen mbi mars të lëshuara nga NASA, Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) dhe India.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG