Lidhje

Shqipëri: Monitorimi gjeti 15 shkelje ligjore të Kodit Zgjedhor


Në Shqipëri, Akademia e Studimeve Politike renditi, në një raport monitorimi, një seri shkeljesh të Kodit Zgjedhor nga qeveria dhe parlamenti me të paktën 15 ligje dhe vendime.

Kryetari i bashkisë së Tiranës u gjobit nga KQZ për veprimtari të ndaluara në periudhën parazgjedhore.

Kodi Zgjedhor kërkon që 4 muaj para zgjedhjeve të kufizohen burimet dhe veprimtaritë publike të zyrtarëve të lartë qendrorë dhe vendorë, për të siguruar një barazi të tyre në garë me opozitën.

Monitorimi: 15 shkelje të kodit zgjedhor nga qeveria dhe Parlamenti
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Akademia e Studimeve Politike sapo ka publikuar një tjetër raport monitorimi mbi kufizimin e burimeve shtetëtore në fushatën zgjedhore, ku brenda një muaji renditen 15 shkelje të Kodit Zgjedhor me akte normative ligjore dhe vendime, urdhëra dhe udhëzime nga qeveria si dhe akte që nxjerr parlamenti.

Vëzhguesit ato i vlerësojnë si shkelje të Kodit Zgjedhor, sepse ndikojnë qytetarët me falje detyrimesh, taksa, tatime, rritje rrogash e pensionesh, punësime të reja në administratë dhe sjellin favorizim elektoral të partisë politike në pushtet.

Drejtuesi i Akademisë Politike, Erjon Tase, thotë se krahas vendimeve të shumta qeveritare në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, janë edhe një seri veprimtarish elektorale të zyrtarëve të maxhorancës si dhe përurime objektesh publike, prej të cilave ata synojnë të përfitojnë politikisht.

Marrëveshja e 5 qershorit dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor synuan krijimin e kushteve të barabarta për kandidatët.

Këto kufizime janë përshëndetur nga opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar dhe pas zhvillimit të zgjedhjeve një pikë e vlerësimit në mbarëvajtjen e zgjedhjeve do të jetë edhe shkalla e respektimit të tyre.

Bashkautori i raportit, juristi Isuf Shehu, thotë se këto 15 akte ligjore nga qeveria dhe parlamenti bien në kundërshtim me nenet 91 dhe 92 të Kodit Zgjedhor dhe kanë ndikim të madh tek elektorati.

Sipas autorëve, mbetet vetëm KQZ që t’u kërkojë qeverisë dhe parlamentit të mos nxjerrin akte të tilla në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe të vazhdojë gjobitja apo ndëshkimi i zyrtarëve, që ndërmarrin veprime të tilla, si ndodhi me kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Kjo është hera e parë që Kodi Zgjedhor parashikon kufizime të tilla mbi përdorimin e burimeve shtetërore në fushata politike deri 4 muaj para zgjedhjeve.

Me afrimin e fushatës, muajin e fundit hyjnë në fuqi edhe kufizime të tjera, që nga ndalimi i automjeteve dhe pajisjeve të tjera të administratës për fushatë zgjedhore të partisë dhe deri te ndalimi likeve dhe shareve të nëpunësve për shefat e tyre gjatë orarit zyrtar.

Projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” mbështetet nga ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe programi i përbashkët i Këshillit të Europës dhe Bashkimit Evropian “Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG