Lidhje

Maqedoni e Veriut, rritet numri i të infektuarve, ulen vdekjet si pasojë e COVID-it


Në Maqedoninë e Veriut Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur sot se në shtatë ditëshin e fundit, nga data 8 deri 14 shkurt është rritur për 5,3 për qind numri i rasteve të reja me koronavirus, ndërkohë që është ulur me 34,8 për qind shkalla e vdekshmërisë nga sëmundja.

Sipas të dhënave të së martës, numri i viktimave ka arritur në 3,003. Janë regjistruar 358 raste me koronavirus brenda 24 orëve të fundit, ndërsa jetën e kanë humbur 5 persona. Që nga shpërthimi i koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut janë diagnostikuar rreth 97,500 raste, ndërkohë që aktualisht ka 6,152 raste aktive.

Grupmosha e më të prekurve nga virusi është ajo mbi 60 vjeç, por edhe tek grupmosha prej 30 – 39 vjeç janë regjistruar mjaft raste.

Nga ana tjetër, gjendja nëpër spitalet dhe qendrat e COVID-it është shtendosur dhe disa prej klinikave janë kthyer në normalitet, teksa spitali modular pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Shkup po shndërrohet në një qendër vaksinimi.

Prej nesër, e mërkurë, fillon procesi i shumëpritur i vaksinimit kundër COVID-19. Maqedonia e Veriut arriti të sigurojë vaksinat e para nga Serbia fqinje, presidenti i së cilës, Aleksandar Vuçiç solli të dielën deri në kufirin midis dy vendeve një paketë me 4,680 vaksina të kompanisë Pfizer. Një procedurë e gjatë, sipas presidentit serb, i kishte paraprirë këtij hapi, për shkak të politikave të kompanisë për tëhuajësimin e vaksinave nga një shtet në një tjetër.

Ministria e Shëndetësisë në Shkup bën të ditur se dy mijë mjekë janë paraqitur për pranimin e vaksinës. Shkupi ka porositur edhe 200 mijë vaksina të prodhuesit kinez Sinofarm, që pritet të arrijnë në fund të muajit, siç ka njoftuar Kryeministri Zoran Zaev. Ndërkohë, 833 mijë vaksinat e porositura nga kompania Pfizer, nuk dihet se kur mund të arrijnë.

Autoritetet synojnë të vaksinojnë 60 - 70 përqind të popullatës, teksa një pjesë e ekpertëve vlerëson se vendi tanimë po arrinë efektin e imunitetit të tufës. Mendohet se shumë raste me simptoma të lehta apo aposimtomatikë të mos jenë paraqitur fare te mjeku dhe ta kenë kaluar koronavirusin pa u evidentuar.

Ndërkaq, masat kufizuese ndaj koronavirusit, si mbajtja e detyrueshme e maskave dhe distancimi fizik kanë bërë që të ulen jashtëzakonisht rastet e gripit sezonal. Sipas Institutit të Shëndetit Publik rastet me gripin sezonal kanë rënë për 92,5 përqind në krahasim me vitin e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG