Lidhje

Komunikimi i Presidentit Biden me udhëheqësit e huaj


Që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden ka telefonuar 12 herë udhëheqësit botërorë, duke rikthyer ritualin standard të zyrës.

Ndryshimet në diplomacinë telefonike kanë të bëjnë me stilin dhe përmbajtjen, ndërsa Presidenti Biden është përpjekur të dërgojë mesazhin tek udhëheqësit e huaj – shumë prej të cilëve ishin të zemëruar nga mënyra ngacmuese e zotit Trump dhe ndërthurrja e interesave personale me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Biden është i vendosur që të vërë në vend lidhjet e Shteteve të Bashkuara me botën.

“Ata janë të bindur tek ideja e nevojës për të menaxhuar mjaft mirë aleancat”, tha Matthew Goodman, i cili ka qënë anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Presidentit Barack Obama dhe Presidentit George W. Bush. “Është një parim kryesor organizativ ndërsa mbyllin kapitullin e zotit Trump dhe tërheqin aleancat në rrugën e duhur. Përgatitja për të telefonuar (udhëheqësit botërorë) është pjesë e kësaj.”

Politika e jashtme e Presidentit Biden përfundimisht do të gjykohet nga rezultatet, më shumë sesa forma ose përgatitja. Por qasja e tij deri tani ndryshon dukshëm nga zoti Trump, i cili dukej se kishte raporte më të mira me autokratët si Vladimir Putini i Rusisë dhe Kim Jong Un i Koresë së Veriut, sesa me shumë aleatë historikë të Shteteve të Bashkuara. Ish-presidenti shpesh nuk u përmbahej pikave kryesore të bisedës gjatë telefonatave dhe këshillave që i ofronin ndihmësit e tij për dialogun me udhëheqësit botërorë.

Transkripte të bisedave telefonike të rrjedhura në shtyp tregojnë se në ditët e tij të para në detyrë, diplomacia e tij arrogante bëri që Presidenti Enrique Pena Nieto i Meksikës të shprehej publikisht se Meksika nuk do të paguante kurrë për murin kufitar mes dy vendeve, një premtim kryesor i fushatës së zotit Trump në vitin 2016.

Zoti Trump po ashtu iu ankua Kryeministrit të Australisë Malcolm Turnbullb se po e detyronte të dëgjonte “telefonatën më të pakëndëshme”, ndërsa e akuzoi atë se ishte më i ashpër se Trumpi, duke i mbajtur refugjatët të ndaluar në ishujt e vegjël pranë Australisë.

Ajo që ra në sy më së shumti ishte telefonata e zotit Trump në vitin 2019 me Presidentin Volodymyr Zelenskiy të Ukrainës, që nxiti përpjekjet në Kongresin amerikan për shkarkimin e tij, pasi u zbulua se Trumpi i kishte kërkuar homologut ukrainas favore për të hetuar zotin Biden, si dhe djalin e tij Hunter lidhur me veprimtarinë në Ukrainë.

Sikurse ka qënë praktika me administratat e kaluara, këshilltarët e zotit Biden zakonisht e përgatisin presidentin para telefonatave, duke ofruar dosje me të dhëna dhe përmbledhje të zhvillimeve të fundit. Po ashtu ata i ofrojnë presidentit një përmbledhjeve nga diskutimet e mëhershme me udhëheqësin, pikat kryesore të çështjeve që do të fliten, si dhe shënime në rast të pyetjeve për ta ndihmuar zotin Biden të formojë përgjigje për çështje të nxehta që mund të ngrejë homologu i tij.

Ndihmësit e zotit Trump e kuptuan herët që presidenti nuk kishte durim për t’u informuar, ose për pikat kyçe të bisedës. Fillimisht ata i ofruan atij një përmbledhje prej 6 faqesh me të dhëna para telefonatave, por doli se kjo ishte shumë. Pastaj ata filluan t’i ofrojnë një variant prej një faqeje. Më pas atij i ofruan shënime të shkurtëra, që zakonisht përbanin vetëm tre pika kryesore të bisedës.

“Puna e mundimshme për detajet mbi çdo fjalë në dosje nuk kishte rëndësi sepse komunikimi i mesazhit të duhur në emër të Shteteve të Bashkuara nuk kishte rëndësi për presidentin”, thotë Frances Brown i cili shërbeu si këshilltar i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së Presidentit Trump dhe administratës së Presidentit Obama. “Për një punonjës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kjo ishte një krizë ekzistenciale.”

Ditë më parë, Presidenti Biden zhvilloi një telefonatë dy orëshe me Presidentin Xi Jinping të Kinës, ku ngriti shqetësimet rreth abuzimit të drejtave të njeriut dhe praktikat e padrejta tregtare. Më herët gjatë një telefonate me Presidentin Putin, zoti Biden dënoi burgimin e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny dhe i bëri presion presidentit rus për përfshirjen e vendit të tij në një fushatë të gjerë spiunazhi kibernetik kundër Shteteve të Bashkuara.

Pëprara dy telefonatave, zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Biden ofruan paraprakisht për gazetarët ato që presidenti kishte në plan të thoshte, një hap që synote t’i paraprinte përpjekjeve të mundshme të Pekinit dhe Moskës për të kontrolluar mesazhin për publikun nga bisedat mes udhëheqësve.

Telefonata e parë e Presidentit Biden ishte me Kryeministrin Justin Trudeau të Kanadasë, të cilin zoti Trump e kishte quajtur “shumë të pasinqertë dhe të dobët.”

Për zotin Biden telefonata me zotin Trudea ishte pjesërisht e ashpër dhe pjesërisht e butë. Zoti Biden i shpjegoi atij vendimin për të ndaluar punimet e tubacionit të naftës Keystone XL, një projekt që shtrihet nga Kandaja drejt Shteteve të Bashkuara, që zoti Trudeau e mbështet. Gjatë bisedës zoti Biden po ashtu kujtoi lidhjet familjare të gruas së tij të parë të ndjerë me Toronton dhe vizitën e tij në vitin 2016 në Ottawa ku zoti Trudeau e nderoi atë me një darkë shtetërore. Të dy udhëheqësit diskutuan për pandeminë, ekonominë dhe dy kanadezët e burgosur në Kinë si hakmarrje për arrestimin nga Kanadaja të një zyrtareje të lartë të kompanisë Huawei, sipas zyrtarëve kanadezë.

Një zyrtar i lartë kanadez me njohuri mbi telefonatën tha se zoti Biden u shfaq i përgatitur mirë për bisedën gjysmë orëshe dhe vuri në dukje se telefonata kishte zgjatur më shumë se çdo thirrje telefonike që kryeministri kanadez kishte zhvilluar me zotin Trump.

Kryeministri britanik, i cili i bëri lajka Presidentit Trump për vite me radhë, tha gjatë një interviste në kanalin televiziv CBS se biseda e tij me zotin Biden ishte “fantastike” dhe se kishin biseduar për çështje të ndryshme si ndryshimet klimatike, NATO, Irani dhe të tjera.

Shtëpia e Bardhë publikoi një foto nga pritja që Presidenti Biden bëri në Zyrën Ovale me këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe drejtoreshën e çështjve evropaine në Këshillin e Sigurimit Kombëtar Amanda Sloat, ndërsa zoti Biden po përgatitej për telefonatën me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Por vëmendje e madhe po i kushtohet edhe vendeve që nuk kanë arritur ende në listën e telefonatave të Presidentit Biden.

Presidenti i ri ende nuk ka folur në telefon me Presidentin Recep Tayyip Edogan të Turqisë, i cili kishte marrëdhënie të ngushta me zotin Trump edhe pse mes Ankarasë dhe Uashingtonit pati mosmarrëveshje për një numër çështjesh, përfshirë edhe vendimin e Turqisë për të blerë raketa të avancuara ruse. Kjo bëri që Uashingtoni të përjashtonte Turqinë nga programi i saj ushtarak për avionin luftarak F-35.

Gjatë fushatës elektorale zoti Biden e quajti Edroganin një autokrat. Kur shërbente në postin e Zëvendëspresidentit, zoti Biden u detyrua të kërkojë ndjesë zyrtare në vitin 2014 pasi sugjeroi se Turqia luajti një rol në fuqizimin e grupit terrorist Shteti Islamik.

Ish ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, shkroi në Twitter një listë me 10 vende të cilat tha se udhëheqësit e tyre kishin folur në telefon me zotin Biden. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se nuk do të thotë gjë mungesa e një thirrje telefonike me Izraelin. “Nuk është një menjanim i qëllimshëm”, tha ajo ndërsa premtoi se një thirrje telefonike me Kryeministrin Benjamin Netanyahu do të ndodhte së shpejti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG