Lidhje

BE-ja angazhohen fuqishëm për të shtuar vaksinimet 


Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian njoftuan të mërkurën se BE-ja ka vendosur të blejë 300 milionë doza shtesë të vaksinës Moderna dhe se po shton edhe 250 milionë dollarë shtesë për përpjekjet për të luftuar variantet e reja të koronavirusit. Komisioni Evropian tha se një kontratë e dytë me Modernan ofron 150 milionë doza të tjera vaksine nga kjo kompani, me opsionin për të blerë edhe 150 milionë doza më shumë për 2022.

Njoftimi bëhet ndërkohë që Pfizer and BioNTech thanë se kanë nënshkruar marrëveshje për t’i dërguar bllokut 200 milionë doza të tjera vaksine.

“Me një kontraktim prej 2.6 miliardë doza vaksine, do të jemi në gjendje të imunizojmë jo vetëm qytetarët tanë, por edhe fqinjët dhe partnerët,” tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zonja Von der Leyen dhe ekipi i saj janë ndeshur me kritika të forta për ritmet e vaksinimit. Megjithëse blloku filloi vaksinimin thuajse dy muaj më parë, ende është prapa Britanisë, SHBA-së dhe disa vendeve të tjera lidhur me përqindjen e popullatës së imunizuar.

Zonja Von der Leyen prezantoi edhe planet për metoda më të mira për diktimin e infeksioneve me variante të reja, si dhe miratimin e vaksinave të reja, të përshtatura për të luftuar këto variante.

Varianti britanik duket se do të bëhet mutacioni dominues në BE. Komisioni Evropian ka parashikuar të paktën 75 milionë dollarë për të mbështetur zbulimin e sekuencës gjenetike të këtij mutacioni dhe prodhimin e testeve të reja për mutacione që mund të shfaqen në të ardhmen. Rreth 150 milionë dollarë do të përdoren për studime dhe analiza të dhënash.

“Përparësia jonë është të garantojmë se evropianët do të kenë qasje të plotë tek vaksina të padëmshme dhe efektive kundër COVID-19 sa më parë që të jetë e mundur,” tha zonja von der Leyen.

Zyrtarët gjermanë të shëndetësisë thonë se mutacioni i shfaqur fillimisht në Britani tani përfaqëson mbi 20% të të gjithë infektimeve të reja në vend. Vetëm brenda dy javësh, infektimet me këtë mutacion u rritën nga 6% në 22% të rasteve.

Në Sllovaki, ku tani regjistrohen ritmet më të larta të vdekshërisë nga virusi në botë, autoritetet zbuluan variantin e ri në 74% të infektimeve të reja.

Autoritetet daneze thanë se 45% e rasteve pozitive për koronavirus janë prekur nga mutacioni britanik dhe parashikojnë se deri në fillim të marsit ky mutacion do të shkaktojë 80% të infeksioneve të reja.

Shkencëtarët thonë se varianti britanik përhapet më lehtë dhe ka gjasa të jetë më vdekjeprurës, por deri tani duket se vaksinat ndaj tij janë të efektshme. Ndërkaq, varianti i shfaqur në Afrikën e Jugut duket se mund të jetë rezistent ndaj vaksinës AstraZeneca.

Autoritet gjermane në landin e Rajnit-Vestfalisë Veriore shprehën shqetësim pasi ka pasur njerëz që nuk pranojnë të bëjnë vaksinën e AstraZenecas, por duan vaksinën e Modernas ose Pfizerit.

“Vaksina e AstraZenecas nuk është vaksinë e dorës së dytë. Ajo ka shfaqur efektivitet të mirë dhe tolerohet mirë nga organizmi,” tha një zyrtar gjerman.

Rezistenca ndaj vaksinës së AstraZenecas që përdoret tek individë nën 65-vjeç, është ushqyer nga njoftime se disa të vaksinuar kanë pasur temperaturë dhe dhimbje koke pas vaksinimit. Zyrtarët thonë se këto janë simptoma normale që zhduken pas pak ditësh.

Pfizer dheBioNTech konfirmuan se kanë finalizuar një marrëveshje me BE-në për 200 milionë doza shtesë.

Dy kompanitë thanë se dozat pritet të dërgohen brenda vitit. 75 milionë prej tyre do të dërgohen në gjashtë mujorin e parë të 2021. Këto janë doza ekstra, përveç 300 milionë dozave që porositi blloku fillimisht. BE-ja ka opsionin për të porositur 100 milionë doza të tjera.

Mungesa e vaksinave ka qenë një temë e nxehtë në Evropë. Muajin e kaluar, Pfizer tha se nuk do të arrinte të dërgonte sasinë e planifikuar fillimisht pasi prodhimi nuk po realizohej me ritmet e parashikuara.

BE-ja u përfshi në përplasje publike me AstraZenecan pasi kjo kompani dërgoi më pak doza se ishte parashikuar. Shefi ekzekutiv i kompanisë fajësoi problemet në linjat e prodhimit për sasinë e reduktuar.

Zyrtarët spanjollë thonë se si rezultat i ritmeve të ngadalta aktuale të shpërndarjes së vaksinave, nuk ka kuptim të ngrihen klinika të reja për imunizime, një koment i ngjashëm me reagimet e guvernatorëve amerikanë që kanë ndeshur në probleme me furnizime të pamjaftueshme.

Agjencia Evropiane për Mjekësinë tha se nga mesi i marsit do të nxjerrë vlerësimin e saj për një vaksinë të katërt të prodhuar nga Johnson & Johnson, e cila kërkon vetëm një dozë. Tre vaksinat aktualisht në përdorim në Evropë kërkojnë një regjim imunizimi me dy doza.

Zonja Von der Leyen tha se BE-ja ka blerë më shumë doza se i nevojiten sepse do të ndihmojë edhe fqinjët “që nga partneriteti lindor, në Ballkanin Perëndimor e në Afrikë” megjithëse disa prej këtyre vendeve kanë hyrë në marrëveshje me Rusinë e Kinën pasi e patën të pamundur të konkurrojnë me vendet e pasura për vaksina.

Të mërkurën autoritetet në Berlin hapën klinikën e pestë të vaksinimit kundër koronavirusit, brenda një arene të mbyllur çiklizmi. Autoritetet shpresojnë se me këtë objekt të ri do të arrijnë të bëjnë 2,200 imunizime në ditë.

“Nuk kemi përse të ankohemi,” tha Dieter Krueger pas vaksinimit me vaksinën Moderna. “Gjërat duket se po përmirësohen”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG